Lidhje

Kosova kërkon qartësi për ardhmërinë evropiane


Kosova kërkon qartësi për ardhmërinë evropiane
Kosova kërkon qartësi për ardhmërinë evropiane

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, tha sot se ardhmëria evropiane e Kosovës, është konfirmuar në vazhdimësi, por vendi ka nevojë për siç tha ai, koordinata të sakta të këtij qëllimi. Ai i bëri këto komente në takimin e Këshillit Ndërministror për Integrim Evropian, në të cilin është diskutuar përparimi i institucioneve të Kosovës në përmbushjen e kritereve politike, ekonomike dhe të standardeve evropiane. Ai vuri theksin tek përpjekjet që po bëjnë autoritet për përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave, meqë ajo ka mbetur vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimorë jashtë këtij procesi.

Në fushën e liberalizimit të vizave, Qeveria në bashkëpunim të ngushtë me Komisionin Evropian, ka ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm me qëllim të përmbushjes së kritereve për marrjen e strategjisë për liberalizimin e vizave. Nën koordinimin e ministrisë së Integrimit Evropian dhe ministrisë së Punëve të Brendshme, korniza legjislative është kompletuar, politikat implementuese janë vendosur dhe janë ndarë mjetet e nevojshme financiare. Në mes tjerash, digjitalizimi i regjistrave civil dhe procesi i ri integrimit ka vazhduar me intensitet të plotë”, tha kryeministri Thaçi.

Komisioni Evropian ka propozuar ndërkaq gjatë ditës së sotme ashpërsimin e rregullave për vizat Shëngen, por ka hedhur poshtë propozimin për zgjerimin e kontrollit kufitar në zonën e lirë kufitare brenda bllokut. Ky propozim ka pasuar siç është thënë, valën jonormale të kërkesave për strehim të shtetasve të Serbisë dhe Maqedonisë dhe për këtë arsye janë kërkuar masa për t’u siguruar se marrëveshjet për liberalizim vizash nuk po keqpërdorën. Propozimet e tilla duhet të miratohen nga qeveritë e vendeve të Bashkimit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

Gjendja e re e krijuar ka shtuar drojën se kjo mund të pasqyrohet edhe në përfshirjen e Kosovës në këtë proces, e cila nga ana e saj pohon se do të përmbushë të gjitha kriteret deri në fillim të vitit të ardhshëm. Ministrja e Integrimeve në qeverinë e Kosovës, Vlorë Citaku tha se krahas përmbushjes së kritereve do të organizohen edhe fushata ndërgjegjësimi rreth këtij procesi.

Ne duhet t’ua sqarojmë qytetarëve në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë që liberalizimi nuk nënkupton azil, që liberalizimi i vizave nuk është leje pune, sepse këto lloj keqkuptimesh duket se do të kenë pasoja për disa nga vendet e rajonit”, tha ministrja Citaku.

Kosova mbeti jashtë procesit fillimisht për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vende të Bashkimit Evropian, të cilat solidarizohen me qëndrimin e Serbisë e cila kundërshton ashpër pavarësinë e Kosovës, që është njohur tashmë nga 75 vende të botës përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian.

Për shkak të këtij qëndrimi, presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, ka njoftuar se do të bojkotojë takimin e udhëheqësve të Evropës Qendrore dhe lindore me presidentin amerikan Barack Obama, që do të mbahet të premten dhe të shtunën në Varshavë të Polonisë. Zyra e presidentit serb bëri të ditur se ky vendim është protestë ndaj pranisë së presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. Autoritetet polake ndërkaq thanë se Polonia e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe nuk ka asnjë arsye që të përjashtojë udhëheqësit e saj nga takimi.

XS
SM
MD
LG