Lidhje

Konstituohen komunat veriore të Kosovës, veriu i Mitrovicës pa kryetar


Konstituimi shmangu përsëritjen e zgjedhjeve, por mbetet e hapur mundësia që zgjedhjet të mbahen për postin e kryetarit të komunës së Mitrovicës.

Ministria e Pushtetit Lokal në Kosovë do të publikojë të hënën raportin mbi ecurinë e seancave përuruese të kuvendeve të komunave veriore të banuara me shumicë serbe dhe ligjshmërinë e procesit.

Zyrtarë të kësaj ministrie, së bashku me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe të Misionit të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, ndoqën seancat përuruese të këtyre komunave të cilat u mbajtën pak para mesnatës, duke shmangur kësisoj mundësinë që zona të shkojë në zgjedhje të reja për shkak të afateve ligjore për konstituimin e komunave.

Konstituimi pasoi një ditë të gjatë diskutimesh në fund të të cilave deputetët shqiptarë i nënshkruan deklaratat në gjuhën shqipe dhe me simbole të Kosovës, ndërsa deputetët serb i nënshkruan deklaratat në gjuhën serbe dhe me simbolet e
Kosovës të mbuluara me letër ngjitëse. Deputetët shqiptarë u shprehën të kënaqur me faktin se hodhën firmat në dokumente me simbole të shtetit, ndërsa ata serbë me mbulimin e tyre.

Raporti i Ministrisë së pushtetit lokal pritet të sqarojë edhe çështjen e kryetarit të komunës së veriut të Mitrovicës, Kërstimir Pantiç, i cili nuk ka marrë pjesë në mbledhjen konstituive, meqë nuk është pajtuar që t’u nënshtrohet ligjeve të Kosovës.

Zyrtarët serb thanë se po presin edhe interpretimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve rreth çështjes meqë mosmarrja e mandatit nga ana e kryetarit të zgjedhur do të nënkuptojë organizimin e zgjedhjeve të rejë për këtë post në veriun e Mitrovicës.

Mbledhjet përuruese në këto komuna ishin planifikuar të mbaheshin më 24 dhjetor, por ato u shtynë për shkak të mospajtimeve rreth procesit të përurimit përkatësisht dokumenteve të punës.

Prishtina zyrtare nguli këmbë që seancat përuruese të mbahen në pajtim me ligjet e Kosovës në bazë të të cilave janë mbajtur edhe votimet në veri, ndërsa përfaqësuesit serbë kërkonin që tërë procesi të ishte i paanshëm ndaj statusit të Kosovës. Çështja madje u diskutua për ditë të tëra edhe ndërmjet grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Shumicën në katër komunat veriore të Kosovës e ka fituar Nisma qytetare serbe, një subjekt politik i mbështetur nga Beogradi, i cili u pajtua me përfshirjen e atyre komunave në zgjedhjet komunale të Kosovës në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Sipas marrëveshjes së arritur në ato bisedime, pritet që deri në muajin shkurt të krijohet asociacioni i komunave me shumicë serbe, që do të gëzojë një shkallë të gjerë autonomie, ndonëse Prishtina zyrtare ngulë këmbë se ai nuk do të ketë pushtet ligjvënës dhe ekzekutiv. Por, zyrtarët serbë thanë se mundësia që në veriun e Mitrovicës të ketë zgjedhje të reja për kryetarin e saj, mund të vonojë këtë proces.
XS
SM
MD
LG