Lidhje

Kosova, problemet ekonomike dhe rënia e investimeve

  • Leonat Shehu

Kosova, problemet ekonomike dhe rënia e investimeve

Kosova, problemet ekonomike dhe rënia e investimeve

Kosova shënoi tre vjet të pavarësisë së saj me një gjendje ekonomike të rënduar dhe me rënie të gjendjes sociale dhe të investimeve. Afaristët thonë se krahas përballjes me krizën botërore financiare, shteti i ri është përballur edhe me marrëdhënie jo të mira ekonomike me vendet tjera. Flamur Keqa, drejtor i Departamentit për Tregti të Jashtme në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tha në një bisedë për Zërin e Amerikës se ekonomia e Kosovës po kalon nëpër një periudhë të vështirë. Ai veçon dy elemente të rëndësishme sa i përket aspektit ekonomik dhe tregtar.

“Kemi marrëveshjen tregtare përkatësisht masat preferenciale të cilat i ka pas Kosova me Bashkimin Evropian dhe e dimë që këto masa nuk janë në fuqi që nga janari i këtij viti. Në anën tjetër i kemi edhe problemet të cilat po na përcjellin prej tre vitesh, sa i përket tregtisë rajonale konkretisht qarkullimin e lirë të mallrave kosovare në tregun e Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës”, tha zoti Keqa.

Problemet politike kanë vështirësuar edhe përmbushjen e detyrimeve që ka Kosova ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Muajin e ardhshëm pritet të mbahet takimi i radhës i Marrëveshjes për Tregti të lirë në Evropën Qendrore e njohur si CEFTA e cila gjatë këtij vitit do të drejtohet nga Kosova. Beogradi i cili nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, kërkon që ajo ta drejtojë këtë takim nën logon e Misionit të Kombeve të Bashkuara. Zoti Keqa thotë se CEFTA do të drejtohet nga përfaqësuesit e ligjshëm të Kosovës, por tërheq vëmendjen në atë që ai e quan thelbin e kësaj pune.

“Tregtinë dhe ekonominë e Kosovës e udhëheqin institucionet kosovare dhe janë ata të cilët të gjitha problemet me të cilat ballafaqohet ekonomia kosovare i paraqesin para strukturave të CEFTA-s dhe punohet në drejtim që këto probleme të evitohen apo edhe të eliminohen në tërësi.”

Sidoqoftë, viti 2011 shihet si një periudhë e përballjes së Kosovës me vështirësi ekonomike, ndërsa ekspertët e çështjeve të ekonomisë vlerësojnë se nevojiten veprime energjike nga qeveria e re për përballjen e problemeve të shumta. Raportet e Bankës Qendrore të Kosovës, flasin për rënie të investimeve të huaja në Kosovë, ndërsa të dhënat e institucioneve vendase e ndërkombëtare, tregojnë se gjendja sociale në vend është duke u përkeqësuar.

XS
SM
MD
LG