Lidhje

Kosova merr regjistrin e parë civil nga Serbia


Kosova merr regjistrin e parë civil nga Serbia

Kosova merr regjistrin e parë civil nga Serbia

Zëvendësshefi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, Andy Sparkes, i dorëzoi sot kopjen e parë të certifikuar të librave të regjistrit civil zëvendëskryeministres së Kosovës, Edita Tahiri.

Në një njoftim të këtij misioni thuhet se EULEX-i i ka certifikuar këto dokumente më 6 dhjetor si pjesë e marrëveshjes së arritur më 2 korrik 2011 në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Zëvendësshefi i EULEX-it Andy Sparkes tha se “ky është një shembull i mirë i përfshirjes së këtij misioni në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit”.

Ai tha se mbetet ende shumë punë për t’u bërë, por procesi tani po ecën përpara dhe EULEX-i i inkurajon të dyja palët që të vazhdojnë, të bindur për rezultatet pozitive. “

Regjistrat civil përmbajnë të gjitha informatat përkatëse lidhur me fazat e ndryshme të jetës së ndonjë personi, siç janë lindja, kurorëzimi ose vdekja. Më shumë se katërmbëdhjetë mijë libra të regjistrave origjinale duhet të kopjohen dhe vërtetohen para se t’u dorëzohen autoriteteve të Prishtinës.

Marrëveshja për këtë çështje parasheh që dokumentet origjinale të regjistrave civil që ishin marrë nga forcat serbe në fund të luftës në Kosovë, të mbeten në Serbi.

Bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të filluara në mars të këtij viti sollën disa marrëveshje, përfshirë lëvizjen dhe tregtinë e lirë, dokumentet shkollore dhe menaxhimin e integruar të kufirit. Por zbatimi i tyre është ende i pjesshëm.

XS
SM
MD
LG