Lidhje

Kosova në përmbyllje të procesit të zgjedhjeve

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Kosova në përmbyllje të procesit të zgjedhjeve

Kosova në përmbyllje të procesit të zgjedhjeve

Përfundim i rivotimeve në komunën e Mitrovicës një ditë më parë, duket se do t’i jap fund procesit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, publikoi sot rezultatet paraprake për zgjedhjet e djeshme në këtë komunë ku numrin me të madh të votave ka fituar Partia Demokratike e Kosovës, e pasuar nga Lidhja Demokratike, lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Aleanca Kosova e re. Në zgjedhjet e djeshme kanë marrë pjesë vetëm 26.8 për qind e votuesve të regjistruar, ndërsa pjesëmarrja në zgjedhje në shkallë vendi është 47 për qind.

Rivotimet e djeshme nuk kanë ushtruar shumë ndikim në rezultatet në shkallë vendi. Sipas Komisionit Qendror, Partia Demokratike e Kosovës është fituese me 32.40 për qind të votave, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.67 për qind, Lëvizja Vetëvendosje me 12.55 për qind, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës -me 11. 09 për qind, Aleanca Kosova e Re me 7.22 për qind. Fryma e Re dhe Lidhja Demokratike e Dardanisë me 2.15, përkatësisht 2.13 për qind të votave nuk kanë arritur të kalojnë pragun zgjedhor.

Rezultatet përfundimtare pritet të publikohen pas numërimit të votave me kusht dhe atyre të dërguara nëpërmjet postës, por edhe ashtu, ato nuk mund të ushtrojnë asnjë ndikim në rezultatin përfundimtar. Vërtetimi i këtyre zgjedhjeve pritet të bëhet në fillim të muajit shkurt me çka do të hapej mundësia e krijimit të institucioneve të reja të Kosovës, një proces ky që u zvarrit për shkak të parregullsive të shfaqura në zgjedhjet që kushtëzuan rivotime në gjashtë komuna të vendit.

Këto zgjedhje ishin të parat që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008 dhe të parat që në tërësi janë organizuar nga institucionet e shtetit të ri. Si të tilla ato u panë si një sprovë e rëndësishme për maturinë politike dhe demokratike të shtetit të ri, posaçërisht për faktin se ato u organizuan në një kohë të shkurtër dhe ishin të parat të jashtëzakonshme ne vend.

XS
SM
MD
LG