Lidhje

Kosova në trevjetorin e Kushtetutës përgatit ndryshimin e saj


Kosova në trevjetorin e Kushtetutës përgatit ndryshimin e saj
Kosova në trevjetorin e Kushtetutës përgatit ndryshimin e saj

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, parakaloi sot para Forcës së Sigurisë në ditën e dytë të punës si presidente që njëherësh e bënë atë edhe komandante të përgjithshme të kësaj force. Por, komanda mbi këtë forcë është vetëm një nga detyrat e presidentes se re në mandatin e së cilës, Kosova duhet të bëjë ndryshimet kushtetuese, ndryshime këto që ishin pjesë e marrëveshjes politike që e sollën atë në postin e presidentes. Marrëveshja politike e ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan Christopher Dell, përfshinë edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë. Debatet për fillimin e këtyre ndryshimeve përkojnë me tre vjetorin e hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës e cila në kohën e miratimit të saj në ditën e sotme të vitit 2008 që vlerësuar si një nga kushtetutat me të mira.

Por, gjashtë muajt e fundit vlerësimet sikur ndryshuan. Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese, çoi në rrëzimin e dy presidentëve. Fillimisht në muajin shtator të vitit të kaluar, ish presidenti Fatmir Sejdiu dha dorëheqje pasi që Gjykata Kushtetuese gjeti se ai po binte ndesh me kushtetutën duke mbajtur dy poste njëherësh, atë të presidentit të vendit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Ai vendim krijoi rrethana të tilla që e çuan vendin në zgjedhje të parakohshme.

Në fund të muajit mars, Gjykata solli përfundimin se zgjedhja e zotit Behgjet Pacolli në postin e presidentit ishte jo kushtetuese dhe kjo për disa ditë me radhë. Për më shumë se një javë vendi ishte në udhëkryq, ndërmjet zgjedhjes së presidentit të ri dhe shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme. Këto të fundit u shmangën me marrëveshjen e ndërmjetësuar nga ambasadori amerikan Christopher Dell, një marrëveshje e cila është kundërshtuar nga lëvizja Vetëvendosje, ndërsa është kritikuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës por edhe nga përfaqësues të lartë të vetë Partisë Demokratike të Kosovës.

Marrëveshja kushtëzoi edhe ndryshime në qeverinë e vendit. Ish presidenti Behgjet Pacolli tash do të jetë në postin e zëvendëskryeministrit të parë, ndërsa mbetet çështje e bisedimeve se cilat do të jenë kompensimet tjera që do t’i bëhen partisë së tij Aleancës për Kosovën e Re pas heqjes dorë nga kandidimi për postin e presidentit.

XS
SM
MD
LG