Lidhje

KIPRED: Autonomi shtesë për veriun

  • Leonat Shehu

Discussion on Kosovo's North

Discussion on Kosovo's North

Një studim thekson se problemi për t’i dhënë veriut autonomi shtesë do të zgjidhet në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

Një studim i publikuar sot në Prishtinë thekson se problemi i veriut të Kosovës, për t’i dhënë këtij rajoni një autonomi shtesë, do të zgjidhet në bisedimet e ardhshme politike në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Studimi i titulluar “Autonomia për pjesën veriore të Kosovës: shpalosja e skenarëve dhe pasojat për rajonin”, është kryer nga Instituti për Hartimin e Politikave në Prishtinë.



Ilir Deda nga ky Institut thotë se çështja e veriut të Kosovës pritet të zgjidhet përmes një procesi të ri bisedimesh.

“Bashkësia ndërkombëtare është lodhur me Ballkanin. Edhe Perëndimi e sheh çështjen e fundit të pa zgjidhur marrëdhëniet në mes të Kosovës e Serbisë dhe ata dëshirojnë që në një proces politik të ri deri në gjysmën e vitit të ardhshëm, të vjen deri te një normalizim i marrëdhënieve në mes të Serbisë e Kosovës. E çmimi për normalizim për neve do të jetë veriu autonom”, tha zoti Deda.

Në studim thuhet se autonomia për veriun e Kosovës, do të bënte që shteti i Kosovës të mos jetë funksional si dhe do të sjellë efekte negative tek fqinjët e saj, në Luginën e Preshevës dhe Maqedoni.

Shpend Kursani, nga ky Institut thotë se kjo zgjidhje e mundshme për veriun do të çonte tek krijimi i një shteti me dy etni të ndara në mes të serbeve dhe shqiptarëve, siç është shembulli i Bosnjës.

“Do të ketë shpopullim të serbëve nga jugu në veri dhe shpopullim të katër mijë shqiptarëve në veri në jug të Kosovës. Kjo i krijon dy etnitete dhe me këtë bëhet krijimi i Bosnjës në Kosovë. E rasti Bosnjës është rasti i një shteti të dështuar e jo funksional në botë i cili nuk mund të ec përpara as në Bashkimin Evropian, për shkak të këtyre ndasive etnike që do të bëhen edhe në Kosovë nëse i jepet autonomia”, tha ai.

Zoti Kursani thotë se një vendim i tillë do të rritë edhe pakënaqësitë në rajon.

“Pakënaqësia të shqiptarët në vend do të rritet. Së pari, do të ketë disa pakënaqësi sporadike. Mirëpo, kërkesat që do të vijnë edhe nga Lugina e Preshevës dhe kërkesa nga Maqedonia për parlament dy dhomësh dhe federalizim, pakënaqësia do të rritet edhe atje dhe në këtë formë do të krijohen grupe të pakënaqura dhe dhuna në mënyrë të armatosur, do të rritet”, tha zoti Kursani.

Diplomatët perëndimorë i kanë bërë thirrje Serbisë të ndihmojë shtendosjen e situatës në veriun e Kosovës dhe të mënjanojë strukturat paralele të sigurisë, ndërsa Prishtinës i kanë kërkuar një plan gjithëpërfshirës për zgjidhjen e situatës së atjeshme. Prishtina ngulë këmbë që gjendja në veri të zgjidhet në bazë të planit të krye-negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të cilit është shpallur edhe pavarësia e Kosovës. Në kuadër të debateve për veriun është përmendur mundësia që kjo çështje të jetë pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG