Lidhje

Kosova me një film në ceremoninë e Oskarve

  • Leonat Shehu

Kosova pritet të paraqitet në ceremoninë e ndarjeve të çmimeve Oscar me filmin "SHOK" në kategorinë e filmit të shkurtër.

Ky film nxjerr në pah miqësinë e dy djemve që është testuar në kufijtë e saj, të cilët luftojnë për mbijetesë gjatë luftës në Kosovë.

Filmi ka në fokus jetën e dy fëmijëve, të cilët gjatë periudhës së luftës ishin keqtrajtuar nga forcat serbe në Kosovë. Xhirimet e filmit janë realizuar gjatë vitit të kaluar në qytetin e Mitrovicës, dhe sipas autorëve të tij përmes pamjeve në këtë film shfaqet një pjesë e rrugëtimit të shqiptarëve gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Filmi “Shok” deri më tani ka marr pjesë në shumë festivale të ndryshme ndërkombëtare të filmit ndërsa është shpërblyer me disa çmime.

Filmi “Shok”, është punuar nga regjisori dhe skenaristi anglez, Jamie Donoughue ndërsa është një bashkëprodhim mes Kosovës dhe Anglisë, me producent Eshref Durmishin e Harvey Ascott dhe me mbështetje financiare nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Ministria e Kulturës në Kosovë e ka quajtur lajm historik për kinematografinë e Kosovës, nominimin e filmit “Shok” në kategorinë e filmave të shkurtër të garës për çmimet Oscar. Në një komunikatë për opinion të kësaj ministrie thuhet se “filmi SHOK është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kinematografinë dhe kulturën e Kosovës në përgjithësi”.

Ceremonia për Çmimet Oskar të Akademisë së 88-të të Filmit, do të zhvillohet më 28 shkurt në Los Anxhelos.

Vitin e kaluar, Kosova paraqiti si kandidat në kategorinë e “filmit më të mirë në gjuhë të huaj” filmin "Tre dritare dhe një varje” të regjisorit Isa Qosja.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG