Lidhje

Kosovë: Debat në Parlament për tarifën doganore në importin e çimentos


Parlamenti shtyu për nesër votimin e një mocioni për shfuqizimin e një vendimi të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë

Me kritika të shumta përshkuan sot punimet e Parlamentit të Kosovës lidhur me vendimin e qeverisë për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos.

Këto kritika ishin pjesë e interpelancës së ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari - Lila, nga e cila deputetët e partive opozitare kërkuan sqarime lidhur me këtë vendim. Muajin e kaluar, autoritetet vendosën për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35 për qind.

Ky vendim, ka nxitur reagime të shumta të partive opozitare dhe të përfaqësuesve të bizneseve në Kosovë dhe Shqipëri, të cilët kanë bërë thirrje për largimin e këtij vendimi, pasi që sipas tyre kjo i dëmton interesat kombëtare të shqiptarëve.



Emin Gërbeshi nga koalicioni Kosova e Re, që kishte kërkuar interpelancën u bëri thirrje deputetëve që të shfuqizojnë këtë vendim, i cili sipas tij përveç që është joligjor është edhe antikombëtar.

“Sot kemi një mundësi para vetes, të marrim vendim për shfuqizimin e këtij vendimi absurd, që na poshtëron së pari si shqiptar. Kam besimin e plotë se ju me votën tuaj do të dëshmoni se jeni për ekonomi dhe treg të lirë, për konkurrencë reale në treg dhe jo për monopole e barriera të tjera që na ndajnë si komb dhe na ndajnë edhe nga popujt tjerë”, tha ai.

Edhe deputetët e partive opozitare bën thirrje për shfuqizim të këtij vendimi.

”Ky vendim i qeverisë mbetet i dyshimtë për nga motivi, njëjte edhe për nga politika e saj, politik kjo e cila Kosovën po e çon drejt një vendi të brishtë, sikurse është çimentoja pa armaturë”, tha deputeti Liburn Aliu, nga Lëvizja Vetëvendosje.

“E vërteta më e madhe në këtë proces që ka trazuar me arsye edhe shpirtrat edhe mendjet e bizneseve, deputetëve dhe të dy qeverive asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, ka kërcënuar marrëdhëniet ndërshtetërore të nivelit më të lart. Duhet të jetë dhe të kemi përgjegjësi institucionale, duhet të jepet përgjegjësi individuale dhe morale nëse ka mbet pak moral në këtë vend dhe janë instrumentet demokratike për këtë. Ky është vendimi më i dëmshëm ekonomiko – politik dhe më kundërligjor në Kosovë që nga pas lufta”, tha deputetja Donika Kada – Bujupi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Por, ministrja Mimoza Kusari – Lila tha se vendosja e tarifës për importin e çimentos ka për qëllim mbrojtjen e tregut vendor dhe është i bazuar në ligjet e vendit.

“Ligji për masat mbrojtëse është votuar nga ky Kuvend vitin e kaluar. Nëse ne tani kërkojmë që të mos respektohet ky ligj, mesazhi që del nga Kuvendi i Kosovës nuk është i mirë, as për prodhuesit vendor e as për investitorët e mundshëm në Kosovë. Investimet e paralajmëruara nga vendet mike të Kosovës mund të hamenden nëse ne nuk zbatojmë ligjet tona që rregullojnë fushën e tregtisë dhe industrisë. Nëse prodhuesit vendor nuk mund të marrin mbështetje nga shteti, por duhet të kanë kujdes nga fushatat e organizuara të grupeve të caktuara që duan të importojnë çdo gjë nga jashtë, pse atëherë duhet të investojmë në vendin tonë”, tha zonja Kusari – Lila.

Në mungesë të shumicës së deputetëve, interpelanca u ndërpre dhe do të vazhdoj nesër, ku pritet të votohet një mocion për shfuqizimin e këtij vendimi.

Kërkesa për tarifë doganore është ngritur nga kompania “SharrCem”, e cila është prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i çimentos në Kosovë, për siç thuhet, “dëmtim të tregut vendas nga importet”.

Ky vendim, sipas zyrtarëve të ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, është i përkohshëm në një afat prej 90 ditësh, dhe me mundësi të zgjatjes së saj edhe për 30 ditë tjera.

Vendimi për tarifë doganore ka prekur më së shumti kompanitë e çimentos nga Shqipëria, të cilat e kanë mbuluar një pjesë të madhe të tregut në Kosovë.
XS
SM
MD
LG