Lidhje

Shumë pengesa për personat me nevoja të veçanta


Dita ndërkombëtare e personave me nevoja të veçanta e gjen Kosovën me pabarazi të lartë të kësaj kategorie

Një parakalim në qendër të Prishtinës, synonte sot të tërheq vëmendjen në problemet që kanë rreth 200 mijë persona me nevoja të veçanta në Kosovë.



Parakalimi ishte pjesë e shënimit të ditës ndërkombëtare për persona me nevoja të veçanta që sivjet në gjithë botën shënohet me moton “Thyeni barrierat, Hapini dyert: për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe zhvillim për të gjithë”.

Kryetari i Shoqatës joqeveritare, Handikos, Afrim Maliqi, tha se personat me nevoja të veçanta përballen me pengesa çdo ditë, nga pengesat fizike deri tek ato sistemime në punësim dhe programe qytetare.

Ndërkaq, pengesat më të vështira për t’i tejkaluar, janë barrierat psikologjike, respektivisht, qëndrimet që njerëzit kanë ndaj personave me aftësi të kufizuara. Pavarësisht se cili është burimi i këtyre qëndrimeve, injoranca, frika, keqkuptimi apo urrejtja, ato i ndalojnë njerëzit që të kenë mirëkuptim dhe ta njohin dhe përjetojnë potencialin e plotë, të cilin personi me aftësi të kufizuar mund ta arrijë”, tha zoti Maliqi

Ndërsa Thomas Gnochi nga zyra e Bashkimit Evropian, tha se personat me nevoja të veçanta nuk kanë qasje të barabartë në arsim, punësim, shëndetësi, shërbime sociale dhe mbështetje juridike.

Fatkeqësisht ka ende posaçërisht shumë fëmijë me nevoja të veçanta që nuk kanë qasje të duhur në arsim” tha zoti Gnochi duke nënvizuar se pengesat që shfaqen para kësaj kategorie çojnë në izolimin dhe përjashtimin social të tyre.
Vetëm 11 për qind e fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë janë të përfshirë në sistemin arsimor.

Përfaqësues vendas e ndërkombëtare thanë se Kosova ka kuadër ligjor, një plan veprimi dhe një strategji për përmirësimin e gjendjes së kësaj kategorie, por zbatimi është shumë i zbehtë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG