Lidhje

Rasmussen: Zgjidhje politike për veriun e Kosovës

  • Leonat Shehu

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s tha në Prishtinë se për veriun nuk ka zgjidhje ushtarake.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen tha sot në Prishtinë se për veriun e Kosovës nuk ka zgjidhje ushtarake, duke bërë thirrje për një zgjidhje nëpërmjet procesit politik.

Ai i bëri këto komente në fund të vizitës njëditëshe në krye të Këshillit të NATO-s, e cila kishte për qëllim shqyrtimin e gjendjes së sigurisë dhe për të diskutuar çështjet politike e operacionale të saj në Kosovë.

Zoti Rasmussen tha se një proces politik do të bënte që veriu i Kosovës të integrohet plotësisht në shoqërinë e Kosovës.

“Nuk ka zgjidhje ushtarake për këtë problem. Ne duhet të kemi një proces politik i cili do të sjell integrimin e plotë të pjesës veriore në shoqërinë e Kosovës. Kjo kërkon angazhim nga autoritetet në Beograd por edhe guxim politik dhe përkushtim nga autoritetet politike në Prishtinë”, tha ai.

Sekretari Rasmussen tha se në Kosovë ende ka probleme politike dhe se ato duhet të zgjidhen nëpërmjet bisedimeve.

“Prandaj ne i përkrahim bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit të lehtësuara nga Bashkimi Evropian. Iu bëj thirrje të gjithë udhëheqësve dhe të gjitha komuniteteve në këtë rajon që të tregojnë përgjegjësi dhe maturi. Iu bëj thirrje të gjithë udhëheqësve dhe të gjitha komuniteteve që të zgjedhin dialogun dhe jo konfliktin, sepse populli i këtij rajoni e meriton një të ardhme më të mirë si pjesë komunitetit Euro-Atlantik”, tha sekretari Rasmussen.

Ai tha se gjendja e sigurisë në Kosovë është përmisuar dukshëm, duke rikujtuar zvogëlimin e ushtarëve të NATO-s gjatë këtyre viteve. Ai tha se KFOR-it do të vazhdoj të përmbush mandatin e saj në tërë territorin e Kosovës.

“Gjatë vitit të kaluar dhe këtë vit kemi parë dhunë në pjesën veriore të Kosovës dhe dua të siguroj që ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshme për të siguruar se KFOR-i do të mund të zbatoj plotësisht mandatin e saj, që është të sigurojë një ambient të qetë e sigurt dhe lirinë e lëvizjes”, tha sekretari Rasmussen.

Sekretari Rasmussen gjatë vizitës së tij në Kosovë është takuar edhe me kryeministrin, Hashim Thaçi. Ky i fundit tha pas mbledhjes së qeverisë së Kosovës, se me sekretarin Rasmussen është biseduar për zhvillimet aktuale në vend, posaçërisht për gjendjen në veriun e Kosovës. Kryeministri Thaçi ka përjashtuar çdo mundësi që veriu i Kosovës të fitojë ndonjë trajtim special.

“Ne do të jemi shumë të përgjegjshëm në kryerjen e obligimeve tona Kushtetuese dhe ligjore. Me këtë përkushtim tonin janë të informuar edhe kryeqytetet e botës gjithashtu edhe Bashkimi Evropian dhe NATO, për projektin tonë integrues për veriun, por gjithmonë më duhet të përsërisë sepse ka zëra që nuk e ndihmojnë procesin që flasin për statuse speciale, autonomi dhe ndarje. E ritheksoj edhe njëherë dhe i sigurojë e garantoj qytetarët e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë se qëndrimi i Kosovës është projekti integrues dhe nuk do të ketë në asnjë rrethanë dhe nuk është duke u kërkuar nga askush, por edhe nëse kërkohet do të refuzohet nga ne, por kjo nuk do të ndodhë sepse kjo nuk është shtruar kurrë në asnjë tryezë të takimeve që kemi pasur me ndërkombëtarët, se nuk do të ketë as status special, as autonomi dhe as ndarje të Kosovës”, tha ai.

Kryeministri Thaçi tha se në takim me sekretarin e NATO-s është diskutuar edhe për të ardhmen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pasi që sipas tij vendimi i Grupit Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën që të përmbyllet pavarësia e mbikëqyrur, nënkupton përgjegjësi të plota për Kosovën.
XS
SM
MD
LG