Lidhje

Nju Jork, Mërkiç dhe Hoxhaj debatojnë për Kosovën


Këshilli i Sigurimit i OKB-së diskutoi sot mbi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën lidhur me zhvillimet e tre muajve të fundit. Kosova dhe Serbia ishin përfaqësuar në takim nga ministrat e jashtëm, Enver Hoxhaj dhe Ivan Mërkiç. Ministri i jashtëm Hoxhaj theksoi se ka ardhur koha që roli i UNMIK-ut në Kosovë të ndryshojë.

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivan Mërkiç, i bëri thirrje Prishtinës për zbatimin e marrëveshjeve, ndërsa Kombeve të Bashkuara u kërkoi që të qëndrojnë në Kosovë si garantuese se marrëveshjet nuk do të shkelen.

Ai tha se marrëveshja e parë për normalizimin e marrëdhënieve është një fillim i mirë, por ajo përbën vetëm kuadrin e një pune të vështirë për të ardhmen.

"Marrëveshja e Brukselit, është nënshkruar në funksion të lehtësimit të zgjidhjes së çështjeve jetike për të gjithë njerëzit në Kosovë, me shpresën se Prishtina do të punojë me të njëjtin entuziazëm për tejkalimin e problemeve," tha zoti Mërkiç.

Por, tha ai, kjo nuk po ndodh. Nuk e dimë, tha ministri serb, nëse ka vullnet politik në Prishtinë, por e dimë se mungojnë rezultatet konkrete në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve, sidomos të atyre me të cilat përballen pakicat.

Ai tha se për forcimin e themeleve të marrëveshjes përveç vullnetit politik dhe punës së madhe duhet edhe një “ndërmjetësues i ndershëm”. Serbia, tha ai, i sheh Kombet e Bashkuara në rolin e mbikëqyrësit të paanshëm të procesit historik të pajtimit.

Ai tha se Beogradi e sheh marrëveshjen e Brukselit si fillim dhe jo si përfundim të normalizimit të marrëdhënieve, duke akuzuar Prishtinën se sipas tij, po bën përpjekje të pengojë zbatimin e marrëveshjes.

Nga ana e tij, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj kërkoi që të ndryshohet rezoluta 1244 dhe që Republika e Kosovës të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

“Është koha që ky këshill të shqyrtojë transformimin e misionit të UNMIK-ut në një zyrë politike të OKB-së. Në këtë drejtim, funksioni më i rëndësishëm që OKB-ja mund të luajë në Kosovë është që të na mbështesë në përgatitjen tonë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, tha zoti Hoxhaj.

Kosova, tha Ministri Hoxhaj, e kupton se për të arritur këtë është i nevojshëm vullneti politik dhe uniteti midis anëtarëve të Këshillit të Sigurimit. Ai i bëri thirrje Këshillit që të ndërmarrë aktivitete konkrete, që do t’i mundësonin Kosovës të zerë vendin që i takon në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Ministri Hoxhaj shprehu angazhimin për të zbatuar plotësisht marrëveshjen e normalizimit me Serbinë. Por ai tha se "normalizimi i plotë i marrëdhënieve do të arrihet atëherë kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës." Në të njëjtën kohë, tha ai, kontributi ndërkombëtar do të përfundojë kur Kosova të bëhet anëtare e plotë dhe e barabartë e Kombeve të Bashkuara.

Zoti Hoxhaj tha se gjatë kësaj periudhe raportuese, janë vërejtur përparime në zbatimin e marrëveshjeve të arritura me Beogradin, por se në të njëjtën kohë, ekzistojnë disa prirje të qarta nga ana e Beogradit për të devijuar nga detyrimet që dalin nga marrëveshja e normalizimit. Ka dëshmi, tha ai, që anëtarë të strukturave paralele serbe po qëndrojnë në gatishmëri për të destabilizuar gjendjen në veri.

Komenton Ambasadorja e SHBA, Samantha Power

Në komentet e saj, ambasadorja amerikane në Kombet e Bashkuara Samantha Power tha se ajo vlerëson të dyja qeveritë për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve. Ajo tha se dialogu ka krijuar mundësi për të rritur stabilitetin në rajon, por mbetet shumë për të bërë për të përmbushur angazhimet që janë marrë.

Lidhur me zgjedhjet vendore të 3 nëntorit, Zonja Power u bëri thirrje votuesve në të gjithë Kosovën të ushtrojnë të drejtën e tyre për të marrë pjesë në procesin demokratik. Ne, tha ajo, nxisim në veçanti komunitetet e pakicave, duke përfshirë serbët e Kosovës që të marrin pjesë dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet. Duke votuar, tha zonja Power, ata kanë mundësi që jo vetëm të zgjedhin udhëheqësit e tyre, por edhe t'i mbajnë ata të përgjegjshëm.

Ambasadorja amerikane u bëri thirrje të dyja palëve të kapërcejnë dhunën e së kaluarës dhe të nxisin pajtimin ndërmjet komuniteteve në Kosovë. Ajo tha se Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e Kosovës për mbrojtjen e trashëgimisë fetare dhe kulturore. Fati i personave të zhdukur, tha ajo, është një çështje e rëndësishme dhe e pazgjidhur që kërkon vëmendje nga të gjitha palët.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara duan që Kosova dhe Serbia të kenë sukses dhe varet nga njerëzit në Kosovë e Serbi, për të shfrytëzuar mundësitë e krijuara nga dialogu dhe për të hedhur themelet e një të ardhmeje të sigurt e të begatë.
XS
SM
MD
LG