Lidhje

Marrëveshja për kufirin edhe në dy pika të tjera

  • Basim Abazi

Dita e sotme çoi në katër numrin e vendkalimeve kufitare ku zbatohet marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit Kosovë-Serbi

Kosova dhe Serbia filluan sot zbatimin e marrëveshjes për menaxhimin e përbashkët të kufirit edhe në dy vendkalime kufitare, në Bërnjak në veriun banuar me shumicë serbe dhe në Dheun e Bardhë në lindje të Kosovës.

Procesi filloi pa ndonjë incident, ndonëse doganierët e Kosovës janë dërguar në Bërnjak me helikopter meqë rruga tokësore po mbahet pjesërisht e bllokuar nga përfaqësues të serbëve që nuk pajtohen me regjimin doganor. Ata nuk pajtohen që t’u paguajnë taksa doganore, institucioneve të Prishtinës të cila nuk i njohin dhe nuk i pranojnë.

Dita e sotme çoi në katër numrin e vendkalimeve kufitare ku zbatohet marrëveshja për menaxhimin e përbashkët të kufirit, ndërsa vitin që po vjen ajo pritet të fillojë të zbatohet edhe në dy të tjerë.

Ndonëse ishte arritur që në muajin shkurt të këtij viti, zbatimi i kësaj marrëveshjeje filloi pas takimeve ndërmjet kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.

Të dy kryeministrat pritet të takohen më 17 janar për të vazhduar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që po ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian.

Pas asaj date mund të ndodhë edhe një takim iu nivelit të lartë politikë ndërmjet dy vendeve. Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliç, u ka thënë medieve serbe se i ka bërë një ftesë presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga për t’u takuar.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i presidentes Jahjaga në një komunikatë për opinion rithekson gatishmërinë e saj që siç thuhet të takohet me këdo, kurdo dhe kudo në përfaqësim dhe mbrojtje të interesave të Kosovës dhe duke respektuar mandatin e saj kushtetues dhe ligjor.

Ai pohon se në takimin e presidentëve të shteteve të rajonit, që u mbajt më 4 dhe 5 dhjetor të këtij viti, në Budvë të Malit të Zi, kabineti i Presidentes së Kosovës është kontaktuar nga kabineti i Presidentit të Serbisë dhe është propozuar një takim i drejtpërdrejtë.

Gjithashtu, çështja është diskutuar edhe me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian. Presidentja Jahjaga i është përgjigjur pozitivisht një nisme të tillë duke e konsideruar edhe si nismë të saj dhe meqë dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po zhvillohet në Bruksel me një mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Presidentja Jahjaga u ka propozuar udhëheqësve të Bashkimit Evropian që të organizojnë dhe ndërmjetësojnë takimin e parë ndërmjet presidentëve dhe që ky takim të mbahet pas takimit të radhës të kryeministrave Thaçi dhe Daçiç.

Në komunikatë ritheksohet qëndrimi i presidentes Jahjaga se dialogu është e vetmja alternativë për gjetjen e zgjidhjeve evropiane dhe për zbatimin e tyre në funksion të normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane dhe të pavarura.

XS
SM
MD
LG