Lidhje

Kosova, Serbia përballen në KS


Kryeministri i Serbisë dhe ai i Kosovës paraqitën sot vizione të kundërta në debatin e zhvilluar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në Nju Jork. Është hera e parë që kryeministri Hashim Thaçi flet në Këshillin e Sigurimit. Është hera e parë gjithashtu që homologu i tij serb, Ivica Daçiç merr pjesë në Këshillin e Sigurimit si Kryeministër i Serbisë. Në mbledhjen e sotme, u diskutua mbi raportin tre mujor të Sekretarit të Përgjithshëm Ban Ki Mun për Kosovën.

Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç tha se Serbia në asnjë rrethanë, nuk do të njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Për këtë çështje themelore, tha ai, Serbia do të mbetet e bashkuar. Ai u bëri thirrje vendeve anëtare të OKB-së që të mos e njohin një zgjidhje për Kosovën që nuk është produkt i një marrëveshjeje të qartë dhe përfundimtare mes palëve.



Zoti Daçiç nguli këmbë që statusi përfundimtar i Kosovës mbetet i pazgjidhur dhe Kosova nuk mund të lejohet të hyjë në organizatat ndërkombëtare. Në lidhje me marrëveshjet e përkohshme të arritura në Bruksel gjatë bisedimeve teknike të lehtësuara nga BE, ai tha se prania e Prishtinës në forumet rajonale është pjesëmarrje dhe jo anëtarësim në këto forume.

Kryeministri Daçiç tha se autoritetet e reja serbe kanë në plan të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri tani. Ai tha se Serbia është e gatshme për bisedime të nivelit të lartë sepse negociatat mbi çështjet e pazgjidhura nuk mund të shmangen. Qeveria serbe, thya zoti Daçiç, është e gatshme për t'u angazhuar me mirëbesim në të gjitha nivelet në mënyrë që të arrihet një zgjidhje gjithëpërfshirëse për statusin përfundimtar të Kosovës.

Përsa i përket rikonfigurimit të EULEX-it, zoti Daçiç tha se ai nuk i është paraqitur Këshillit të Sigurimit për miratim, dhe nuk është autorizuar nga Kombet e Bashkuara. Ai kritikoi Prishtinën për mosrespektim të juridiksionit të Këshillit të Sigurimit në këtë çështje dhe i quajti këto “zhvillime shqetësuese”. Ai bëri thirrje që nëse EULEX-i nuk ka kapacitete të mjaftueshme, një alternativë do të ishte që UNMIK-u të shqyrtonte rikonfigurimin dhe nivelin e pranisë së tij në Kosovë.

Kryeministri Daçiç tha se zyrtarët serbë kanë vazhduar të ndjekin me vemendje hetimin e nisur nga Përfaqësuesi Special i EULEX-it rreth akuzave bëra në raportin e senatorit zviceran Dick Marty. Ai i mëshoi sidomos akuzave për “trafikim organesh” Në Kosovë dhe bëri thirrje që personat përgjegjës të ndëshkohen. Ai tha se familjet e viktimave serbe meritojnë jo më pak drejtësi se sa viktimat e krimeve të tjera të luftës në ish-Jugosllavi.

Zoti Daçiç tha se Serbia është e angazhuar për një paqe të qëndrueshme ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Ballkan. Kjo, tha ai, do të kërkojë që të dyja palët të marrin vendime të vështira dhe të guximshme, por çdo lëvizje e njëanshme, nuk çon më afër një zgjidhjeje të plotë.

Nga ana e tij kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, paraqiti një vizion të ndryshëm. Ai tha se fundi i mbikëqyrjes së pavarësisë pasqyron besimin e komuniteteve se Kosova - do t’i bashkohet me sukses Bashkimit Evropian në vitet e ardhshme.

Zoti Thaçi tha se pothuajse gjysma e shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur tashmë Republikën e Kosovës, dhe priten njohje të reja.
Ne fuqimisht besojmë se mosnjohja rrezikon stabilitetin në Ballkan, minon investimet evropiane dhe ndërkombëtare në shtet-ndërtimin e Kosovës dhe rrezikon perspektivën për integrim të gjithë rajonit.

Zoti Thaçi tha se më shumë se 50.000 serbë të Kosovës janë pajisur me dokumente personale identifikimi dhe pasaporta të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe shumë udhëheqës fetar serbë. Ai tha se angazhimi i Prishtinës për mbrojtjen e komuniteteve pakicë dhe të drejtave të tyre, mbetet në qendër të politikës së saj.

Zoti Thaçi theksoi se qeveria e Prishtinës ka arritur të integrojë më shumë se 100.000 serbë të Kosovës në institucionet, ku ata tani janë duke shijuar vetëqeverisje. Megjithatë, tha ai, Prishtina nuk ka mundur të arrijë rezultate të njëjta në tri komunat në pjesën veriore të Kosovës.

Zoti Thaçi tha se Prishtina është kundër idesë së ndarjes, ndryshimit të kufijve apo shkëmbimit të territoreve. Ai tha se qeveria e tij kurrë nuk do të rrezikojë pavarësinë, sovranitetin, integritetin territorial dhe rendin kushtetues të shtetit të Kosovës.

Kryeministri i Kosovës tha se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është përparësi për qeverinë e tij. Por normalizimi, tha ai, nuk nënkupton dominimin e Serbisë mbi Kosovën apo kthimin e hegjemonisë së Serbisë në Kosovë dhe vende të tjera në rajon. Në asnjë moment dhe në asnjë rrethanë, tha zoti Thaçi, qeveria e tij nuk do të verë në diskutim shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.



Komentet e zv/ambasadores amerikane, Rosemary di Carlo

Zëvendësshefja e misionit amerikan në Kombet e Bashkuara Rosemary di Carlo, lavdëroi Kosovën për disa zhvillime pozitive që, siç tha ajo, kanë ndodhur gjatë 3 muajve të fundit.

Ajo tha se Kosova dhe Serbia kanë punuar në mënyrë efektive me njëra-tjetrën dhe me bashkësinë ndërkombëtare për të nxitur zhvillimin e institucioneve të forta demokratike. Por, tha zonja di Carlo, është për të ardhur keq që dy komuna serbe në veri kanë shpërfillur hapur ligjin e Kosovës dhe Serbisë duke improvizuar një proces paralel votimi.

Strukturat paralele, tha ajo, nuk kanë asnjë rol legjitim në Kosovë. Ato duhet të ishin shpërbërë shumë kohë më parë, në përputhje me rezolutën 1244.

Zonja di Carlo tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë të shohin rifillimin e dialogut të lehtësuar nga BE-ja, tani që në Beograd ka një qeveri të re.

Ajo tha se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin përpjekjet e BE-së për nxitjen e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me qëllim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve në mënyrë që ato të përmbushin aspiratat e tyre evropiane.

Shtetet e Bashkuara, tha zonja di Carlo, urojnë Kosovën lidhur me përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur. Ne, tha ajo, bashkohemi me kolegët në Grupin Drejtues Ndërkombëtar për njohjen e përparimit të madh të arritur në Kosovë. Vendimi për t'i dhënë fund pavarësisë së mbikqyrur në shtator është një votë besim ndaj përkushtimit të Kosovës dhe aftësisë për të ndërtuar një shtet shumetnik dhe demokratik.

Shtetet e Bashkuara, tha zonja di Carlo mbeten të shqetësuara për kërcënimet ndaj sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në veri të Kosovës. Raporti i Sekretarit të Përgjithshëm, tha ajo, ndonëse e prek këtë çështje, aty duhet t’i ishte vënë më shumë theks mungesës së bashkëpunimit, dhe sulmeve e kërcënimeve ndaj personelit ndërkombëtar nga ekstremistët në veri.

Bllokimet nuk janë hequr, lëvizjet e trupave vazhdojnë të jenë të kufizuara, zyrtarët e EULEX-it dhe trupat e KFOR-it vazhdojnë të jenë të kërcënuara, tha zonja di Carlo. Kërcënimet kryesore për paqen në Kosovë vijnë nga lidhja e elementëve ekstremistë dhe kriminalë në veri.

Në lidhje me pretendimet e ngritura në raportin e 8 marsit, tha zonja di Carlo, Shtetet e Bashkuara i marrin seriozisht të gjitha akuzat për krime të rënda të kryera në rajon dhe theksojnë mbështetjen e plotë për punën e EULEX-it në këtë drejtim.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG