Lidhje

Kosovë, Serbi - angazhim për bisedimet


Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë u angazhuan të premten për vazhdimin e bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, por kjo është e vetmja pikë pajtimi ndërmjet tyre.

Në mbledhjen e sotme të rregullt të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku është shqyrtuar situata në Kosovë, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Kosova vendosi themelimin e Gjykatës së Posaçme për krime lufte duke përmbushur detyrimin e saj ndaj drejtësisë. Por, ai tërhoqi vërejtjen se kjo gjykatë nuk mund të barazojë krimet e mundshme individuale me siç tha gjenocidin shtetëror serb në Kosovë.

Zoti Thaçi njoftoi Këshillin e Sigurimit edhe me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ndërsa dënoi gjuhën e ashpër me të cilën Serbia po përpiqet të pengojë këtë proces.

Ministri i Jashtëm serb Ivica Dacic, kundërshtoi mundësinë e anëtarësimit. Ai tha se Kosova nuk është njohur si shtet nga Kombet e Bashkuara dhe pranimi i saj i mundshëm në UNESCO do të ishte e dëmshme për vetë autoritetin e kësaj organizate. Ai akuzoi Kosovën për siç thuhet, dëmtimin e trashëgimisë kulturore serbe dhe siç tha synimet e autoriteteve të Prishtinës për t'i shpallur ato si pasuri të Kosovës.

Ministri serb u ankua edhe për siç tha mungesën e kthimit të qëndrueshëm të serbëve që u larguan nga Kosova në përfundim të luftës, ndërsa u angazhua për vazhdimin e punës së Misionit të Kombeve të Bashkuara.
Kosova vlerëson se ky mision duhet të përmbyllet dhe në vend të tij t'i krijohen asaj mundësitë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara.

XS
SM
MD
LG