Lidhje

Kosova shënon ditën e personave të zhdukur

  • Leonat Shehu

Kosova shënon ditën e personave të zhdukur

Kosova shënon ditën e personave të zhdukur

Studentë të arteve në Universitetin e Prishtinës dhe veprimtarë të shoqatave joqeveritare ngritën sot në qendër të Prishtinës, një mur me emrat e 1819 personave që edhe 12 vjet pas përfundimit të luftës llogariten të zhdukur. Ngritja e këtij muri ishte një nga mënyrat me të cilat në Kosovë po shënohet dita Kombëtare e të zhdukurve në kujtim të 27 prillit të vitit 1999 kur në fshatin Mejë të komunës së Gjakovës, forcat serbe kishin vrarë dhe zhdukur 377 civilë shqiptarë, trupat e të cilëve për një kohë të gjatë ishin fshehur. Presidentja e vendit Atifete Jahjaga është zotuar për shtim të përpjekjeve për t’i dhënë fund ankthit 12 vjeçar të familjeve të personave të zhdukur.

“E kemi obligim, që të angazhohemi për të gjithë atë që dimë dhe mundemi. Që të sanojmë të gjitha pasojat e luftës, që të lehtësojmë dhimbjen për të gjithë familjarët tanë dhe të përmisojmë jetën e tyre në çdo mënyrë që mundemi”, tha presidentja Jahjaga.

Ndërsa Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë se një trysni më madhe politike duhet të drejtohet ndaj Beogradit për të përshpejtuar procesin e ndriçimit të fatit të të zhdukurve.

“Pa presion ajo (Serbia) nuk do ti hap arkivat, nuk do të na tregojë për varrezat masive sepse hapja do të thotë edhe çështje e përgjithësive. Konsiderojmë dhe vlerësojmë se ata largohen prej përgjegjësisë. Ato që i kanë sjellë, i kanë sjellë pikërisht për të arsyetuar veprimet e tyre për ata të cilët i kanë dërguar në Hagë, mirëpo, për rastet tjera mendojmë se ata do ti shfrytëzojnë për nevojat dhe interesat e veta”, tha zoti Gjetaj.

Ngritja e sotme simbolike e murit në qendër të Prishtinës, sipas Raba Gjoshit, drejtoreshë e Nismës së të rinjve për të drejtat e njeriut, ka për synim të tërheq vëmendjen se të zhdukurit nuk janë vetëm numra.

“Nëpërmjet kësaj ne kemi dashur të sjellim në fokus, se këta njerëz nuk janë vetëm numra, por janë individ të cilët kanë identitet, kanë emër e mbiemër dhe kanë familje të cilëve iu mungojnë. Gjithashtu, përmes këtij aksioni, kemi dashur të tregojmë se institucionet e Kosovës kanë bërë shumë pak në krijimin e “kujtesës kolektive” dhe kjo duhet të jetë një prej prioriteteve më të larta të institucioneve të Kosovës, krahas prioriteteve për sjelljen e drejtësisë për të gjitha viktimat dhe dënimin e kriminelëve, të cilët janë përgjegjës për këto krime”, tha ajo.

Që nga dje Fondi për të Drejtën Humanitare, si pjesë e koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Komisionin Rajonal i njohur si KOMRA, ka nisur grumbullimin e nënshkrimeve në Kosovë, për themelimin e këtij komisioni për ndriçimin e fakteve për krime lufte dhe për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut në të kaluarën. Bekim Blakaj, drejtues për Kosovën i Fondit për të Drejtën Humanitare, thotë se kjo nismë përshinë të gjitha vendet e dala nga ish Jugosllavia dhe ndër qëllimet kryesore është ndriçimi i fatit të personave të zhdukur gjatë luftërave ndërmjet viteve 1991 – 2001. Edhe më tej në këto hapësira nuk dihet asgjë për fatin e 15 mijë personave.

“Në mandatin e këtij komisioni ( KOMRA), është paraparë që si temë e veçantë të jetë çështja e personave të zhdukur, përpilimi i një liste të saktë të personave të zhdukur dhe hulumtimi i fatit të këtyre personave. Shpresoj se në një mënyrë komisioni do të kontribuoj në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur”, tha ai.

Që nga pranvera e vitit 2004 Prishtina dhe Beogradi kanë zhvilluar disa takime të ndërmjetësuara nga Komiteti Ndërkombëtarë i Kryqit të Kuq, për këtë çështje, por rezultatet janë ende të pakta. Çështja e të zhdukurve pritet të jetë edhe një nga temat e bisedimeve të filluara rishtazi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG