Lidhje

Kosova shënon Ditën Botërore të Autizmit

  • Leonat Shehu

Kosova shënon Ditën Botërore të Autizmit

Kosova shënon Ditën Botërore të Autizmit

Kosova sivjet për herë të parë i është bashkuar shënimit të ditës botërore të autizmit, një përpjekje kjo për, siç thuhet nga udhëheqësit e Qendrës “Të Bashkuar për Autizëm” simbolizon fuqinë e vetëdijesimit për personat me Autizëm në përgjithësi, aftësitë e tyre dhe përpjekjeve për integrimin e tyre në sistemin e rregullt edukativ. Sipas të dhënave zyrtare, janë 490 fëmijë me nevoja të veçanta të përfshirë në sistemin arsimor. Por, Shpresë Xhakli me vendbanim në Nju Xhërsi, e me prejardhje nga Mitrovica, e cila është nismëtare e për ngritjen e qendrave për përkujdesje ndaj fëmijëve me autizëm, thotë se numri duhet të jetë më i lartë...

“Mirëpo, ka edhe më tepër të pa regjistruar që nuk e di numrin e saktë. Vetëm në shkollën "Naim Frashëri" janë 115 fëmijë në tri klasa. Tjerët po inkuadrohen nëpër shkolla të rregullta, që sipas mendimit tim nuk është pozitiv sepse fëmijët tjerë nuk po e kanë përqendrimin e edukimit dhe njëjtë edhe fëmijët me autizëm të cilët kanë nevojë për një trajnim dhe edukim special”, tha ajo.

Zonja Xhakli thotë se shumë prindër të fëmijëve me sindromën e autizmit, mëdyshen që të përballen hapur me problemet e tyre.

“Problemi themelor është se prindërit ende mendojnë se fëmijët me të meta mentale ose fizike duhet të fshehën”, tha ajo.

Zonja Xhakli nisur nga përvoja e saj jetësore thotë se ka vendosur që të bëjë gjithë çfarë është e mundur që bashkatdhetarëve të saj t’ua lehtësojë vështirësitë që i sjell jeta me fëmijët me sindromën e autizmit.

“Një përkushtim personal sepse unë vet e kam djalin njëzet e një vjeçar me autizëm, prindi është hapi i parë që këta fëmijë kërkojnë të edukohen, të japin aq sa munden për jetën e tyre të ardhshme”, tha zonja Xhakli.

Por, ajo thotë se përballja e situatën kërkon angazhimin e shumë faktorëve që do të angazhoheshin jo vetëm në shkolla por edhe në aftësimin e prindërve për përkujdesje ndaj këtyre fëmijëve.

“Fëmijët nuk mund të ketë ardhmëri nëse prindërit nuk janë të edukuar se si ti ndihmojnë fëmijëve të tyre. Duhet të bëjmë një trajnim të përbashkët, prindi, psikologu, psikiatri, mjeku që e bënë diagnostifikimin, pediatri të vijnë në një qark, të lidhemi si zinxhir që këtyre fëmijëve të cilët nuk kanë zë dhe nuk munden të kërkojnë "unë kam nevojë për ndihmë". Ne duhet të jemi zëri i tyre që ti ofrojmë ndihmë për të ardhmen”, tha zonja Xhakli.

Hapja e qendrës për autizëm në Prishtinë, shihet si fillim i një projekti më të madh për ndryshimin e gjendjes së këtyre fëmijëve në Kosovë.

XS
SM
MD
LG