Lidhje

Kosova voton kundër ngritjes së Gjykatës së Posaçme


Parlamenti i Kosovës dështoi të miratojë ndryshimet kushtetuese që do të mundësonin ngritjen e Gjykatës së Posaçme, që do të trajtojë pretendimet për krime lufte. Në favor të ndryshimeve votuan 75 deputetë ndërsa duheshin dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve dhe dy të tretat e deputetëve të pakicave kombëtare

Parlamenti i Kosovës voton kundër Gjykatës së Posaçme
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:34 0:00

Votimi pasoi nje debat të gjatë e me tone të ashpra në parlament. Miratimi i ndryshimeve kushtetuese do të mundësonte kalimin e një pjese të përgjegjësive tek prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë që do ta udhëhiqnin gjykatën.

Opozita e cila e ka kundërshtuar vazhdimisht ngritjen e gjykatës, u shpreh e kënaqur me zhvillimet e së premtes. Ndërsa zëvendëskryeministri i Kosovës Hashim Thaçi tha se votimi kundër është dëmi më i madh që ia ka ndodhur Kosovës.

“Dua të vlerësoj me përgjegjësinë më të lartë morale, politike dhe kombëtare se votimi kundër që pamundëson themelimin e kësaj gjykate, Parlamenti i Kosovës apo ata që kanë votuar kundër kanë bërë dëmin më të madh aktualisht që mund tia bëjë dikush shtetit të Kosovës dhe lirisht mund të them se është bërë një shërbim për kundërshtarët e pavarësisë së Kosovës, me ose pa vetëdije. Ne do të vazhdojmë menjëherë përsëri dhe unë dua të shpresoj në guximin qytetar, në përkushtimin kombëtar të njerëzve që të votojnë dhe deputetët kanë legjitimitet që të marrin vendime në interes të shtetit dhe jo të interesave politike ditore”, tha zoti Thaçi.

Ndërsa përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian, Samuel Zbogar, u shpreh “i zhgënjyer me rezultatin e seancës së Parlamentit të Kosovës. BE-ja është njoftuar për votimin negativ lidhur me ndryshimet kushtetuese të cilat do ta kishin mundësuar krijimin e Dhomave Speciale të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit Special. Kosova nuk ka alternativë tjetër përpos që t’i trajtojë supozimet serioze që dalin nga raporti i vitit 2011 të Këshillit të Evropës”, tha ai.

Drejtues të institucioneve dhe diplomatë perëndimorë kanë paralajmëruar mundësinë që dështimi i mundshëm i parlamentit, të çojë çështjen në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gjë që do të ishte e dëmshme për Kosovën.

Madje ata kanë pohuar se tashmë ekziston një projekt i gatshëm i hartuar nga Rusia dhe në një rast të tillë ajo do t’i referohej Rezolutës 1244 duke e trajtuar Kosovën si territor të administruar nga Kombet e Bashkuara, gjë që do të dëmtonte shtetësinë e saj.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës. Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës së viteve 1998 1999.

XS
SM
MD
LG