Lidhje

SHBA: Studentët nga Kosova shpresojnë të ndihmojnë vendin

  • Festim Gashi

Një grup studentësh nga Kosova ndodhen në Shtetet e Bashkuara, ku po ndjekin studimet e masterit në fusha të ndryshme në universitetet amerikane. Ata janë pjesë e një programi të financuar nga Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar dhe qeveria e Kosovës. Kohët e fundit, ata ishin në Uashington ku morën pjesë në një diskutim mbi mënyrën se si mund të kontribuojnë në proceset demokratike në Kosovë.

Fushat si Sundimi i Ligjit, Administrata Publike, Biznesi apo Teknologjia, që studentët nga Kosova po ndjekin, janë tepër të rëndësishme për vendin tha para studentëve, Zëvendës Ndihmës Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, Suzan Fritz.

“Është shumë e rëndësishme që ju jo vetëm të ktheheni dhe të punoni në këto fusha por edhe të luani role udhëheqëse. Shpresoj që gjatë qëndrimit tuaj këtu ju keni marrë njohuritë e duhura për ta bërë këtë”.

Studentët nga Kosova thonë se gjatë studimeve në Amerikë ata kanë mësuar praktika të dobishme që ata dëshirojnë t’i zbatojnë në vendin e tyre.

“Etika, pozitiviteti, komunikimi i mirëfilltë dhe marrja e iniciativës për gjetjen e zgjidhjeve në punë më kanë dhënë një përvojë të mirë që shpresoj ta aplikojë në vendin tim të punës në Kosovë”, thotë Vjollca Kika, studente e degës së Ligjit të Korporatave në Universitetin e Ohajos.

Ndërsa Astrit Tafolli, student i degës së Administratës Publike në Universitetin e Ilinoit, shpreson që të japë kontributin e tij në rritjen e efektshmërisë së administratës publike në Kosovë, e cila sipas tij, ka probleme në këtë fushë.

“Administrata publike në Kosovë është e ngarkuar. Mendoj se duhet të ketë një plan që administrata publike të ketë më pak punonjës, por që ata të jenë më të efektshëm në punën e tyre, të jenë më afër qytetarit”.

Megjithëse këta studentë janë jashtë Kosovës, ata janë të shqetësuar nga zhvillimet politike atje, të cilat e kanë dëmtuar imazhin e vendit. Dardan Bekaj, student i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, thotë se kriza e fundit politike dhe shkuarja e qytetarëve të Kosovës në Siri për t’iu bashkuar ekstremistëve të Shtetit Islamik, janë tregues se ka një mungesë të përparimit të vendit.

“Padyshim për momentin Kosova është në një krizë politike, në një jo-stabilitet politik. Po, ashtu imazhi i saj është dëmtuar sidomos me shkuarjen e qytetarëve të saj në Siri. Qeveria e Kosovës nuk po bën aq sa duhet për të përmirësuar imazhin e vendit. Prandaj, unë mendoj se ne, brezi i ri, grupi që po studiojmë në Shtetet e Bashkuara, duhet të punojmë, të kthehemi në Kosovë për t’i kthyer shpresën njerëzve sepse populli është në një ankth të vërtetë”.

Ndërkohë, ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara, Vlora Çitaku, e cila u takua me studentët nga Kosova, tha se kriza politike në Kosovë është e tejkalueshme dhe se këta studentë pas kthimit në vend do të kenë mbëshetetjen e institucioneve për të dhënë kontributin e tyre në fusha të ndryshme.

“Sigurisht probleme ka shumë. Sfidat janë të mëdha në të gjitha nivelet. Ne shpesh po përqëndrohemi vetëm në dimensionin politik. Kosova ka probleme edhe në fushën e ekonomisë, papunësia vazhdon ende të jetë e lartë. Mirëpo sa herë që ka ide të mira, unë besoj se ato do të gjejnë mbështetje, jo vetëm nga insitucionet e Kosovës por edhe nga komuniteti i donatorëve ndërkombëtar në Kosovë”.

Programi i bursave, “Udhëhëqësit Transformues”, nga i cili deri më tani kanë përfituar 130 studentë nga Kosova, financohet nga qeveria e Kosovës dhe Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar. Zyrtarët e qeverisë së Kosovës dhe ata të USAID-it thonë se synimi i programit është përgatitja e brezit të ardhshëm të udhëheqësve të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe politik të vendit. Programi po zbatohet nga organizata World Learning.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG