Lidhje

Kosova: Planet e mia për Tiranën


Në një intervistë për Zërin e Amerikës kandidati I së djathtës për kryeqytetin, flet për planet dhe projektet e tij: furnizimin 24 orë me ujë dhe uljen e taksave, bashkëpunimin me qeverinë dhe përse drejtuesi i opozitës dhe kreu aktual i Bashkisë Lulzim Basha, nuk u shfaq gjatë fushatës së tij

Zëri i Amerikës: Zoti Kosova, Tirana e re, merr një zgjerim mjaft të ndjeshëm. Cfarë do të ndodhë me komunat e reja që i shtohen Tiranës, për të evituar që ato të mbeten thjesht një shtojcë e kryeqytetit aktual, flas më tepër nga pikëpamja e zhvillimit ekonomik dhe shërbimit?

Z.Halim Kosova: Faleminderit për mundësinë që më jepni për të shprehur disa nga idetë e mia për të ardhmen e Tiranës së madhe, por do të më falni vetëm një cast. Dua të përfitoj nga rasti për të falenderuar në mënyrë të vecantë, ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, zotin Donald Lu, i cili po bën bashkë me stafin e ambasadës, një punë shumë të rëndësishme për vendin, në luftë kundër përfshirjes së elementëve kriminalë në poste drejtuese, gjë që ka një kosto jashtëzakonisht të madhe për vendin. Gjithashtu gjej rastin si një bashkëpunëtor shumë u ngushtë i programeve dhe projekteve të USAID-it në vendin tonë të falenderoj dhe një herë qeverinë amerikane dhe taksapaguesit amerikanë për këtë kontribut shumë të rëndësishëm në shërbim të nënës dhe fëmijës në vendin tonë.

Tirana e madhe apo e ndarë nga lapsi politik, sepse të shkosh në disa zona të Tiranës, sic është Zallheri, duhet të kalosh nga Paskuqani, Kamza që është një bashki më vete, brenda Tiranës, mua nuk më krijon problem, pavarësisht nga kjo ndarje, për faktin që nëse plani urbanistik brenda Tiranës është i përfunduar, ne kemi marrë të gjitha masat e nevojshme që brenda tremujorit të parë pas periudhës së zgjedhjeve, ta plotësojmë këtë plan urbanistik edhe për pjesën që i është bashkangjitur qytetit në mënyrë që standartet, shërbimet për qytetarët e kësaj Tirane të madhe, kudo që ato banojnë, duhet të jenë të njëllojta në të gjithë këndvështrimet e mundshme në një qytet sic është Tirana 1 milionëshe.

Zëri i Amerikës: Cilat janë sipas jush nevojat urgjente që ka Tirana?

Z.Halim Kosova: U bë afërsisht dy muaj që kam bërë takime, i kam prekur gjërat, brenda Tiranës, jashtë, në periferi, në fshatrat më të largët nga qendra, ku kam patur rastin të shoh se mjaft zona janë lënë disi në harresë dhe kanë shumë nevojë për investime dhe për t’i ofruar shërbimet e duhura banorëve të këtyre zonave.

Nga të gjitha bisedat, ne kemi evidentuar pesë kollona kryesore. E para, Tirana e gjelbër dhe e pastër, e thënë ndryshe qytet i shëndetshëm dhe Tirana higjienike. Sistemi arsimor ka nevojë për më shumë krijim kushtesh sepse dija është ajo që do e cojë shoqërinë përpara dhe investimi në dije është nga investimet më të mëdha dhe më të rëndësishme, jo vetëm për Tiranën, por për cdo vend. E treta, janë rrugët dhe trotuaret që lënë shumë për të dëshiruar e që dhe në këtë nivel ne të krijojmë standarte bashkohore, me vizion, objektiva dhe afate të mirëpërcaktuara.

Ashtu sikurse kam patur rastin dhe në organizimin që Dhoma amerikane e Tregtisë bëri për të gjithë kandidatë e Bashkisë së Tiranës që të paraqesin projektet e tyre, unë argumentova se sa e rëndësishme është për qytetin e Tiranës ulja e taksave për familjarët dhe biznesin, vecanërisht biznesin e vogël, që janë rreth 25471 biznese të vogla, ku vetëm vitin e kaluar kanë falimentuar 3774 biznese, në mënyrë që jo vetëm t’u japim mundësi këtyre 5-6 mijë bizneseve që kanë falimentuar në dy vitet e fundit, që të kthehen në treg, por të bëjmë që të mbijetojnë këto që janë e pse jo, të ndikojmë që këto të krijojnë dhe vende pune, sepse papunësia është kryefjala e cdo bisede. Dhe e fundit, por jo më e pak e rëndësishme, cfarë do bëj në krye të Bashkisë së Tiranës, cfarë do bëj për shtresat në nevojë. Eshtë një ushtri e madhe që vuan për bukën e gojës.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosova, duke mbetur tek ajo që ju përmendët, ulja e taksave. Konkretisht ajo që ju premtoni, sa ndikon në një biznes, sepse pesha më e madhe e taskave që sot ka biznesi është ajo e taksave qendrore?

Z.Halim Kosova: Ndikimi mbi biznesin nga 0 deri 2 milion lekë të reja, ku nga 250 mijë lekë të reja shkon në 175 mijë lekë të reja, po u futën dhe taksat e pastrimit dhe reklamave e kështu me radhë, do të jetë i ndjeshëm. Do të bëjmë që këtyre t’u hiqen dhe disa angari të pavlefshme, si tatim i thjeshtuar, por që nuk është kaq i thjeshtë, se ata bëjnë të njëjtat pasqyra e formalitete sic bën një biznes i madh. Dhe këto kanë një kosto e faturë nga pas. Po ashtu dhe tatimi mbi fitimin, nga 7.5 përqind, shkon afërsisht 5.5 përqind, që sërish është e konsiderueshme. Nëse do të ulim taksat 30 përqind dhe për biznesin e madh, që Bashkia e ka në dorë, do të thotë që një biznes, nëse vetëm një taksë të caktuar, atë të pronës, për të cilën paguan sot 70-80 mijë euro, kjo lloj ulje që Bashkia i ofron, do të bëhet pas një bisedimi në tavolinë, në mënyrë që këto të mira që Bashkia i ofron biznesit të madh, për taksat për të cilat Bashkia është përgjegjëse, duhet me patjetër të përkthehen në vende pune. Kjo do të bëhet vetëm duke ofruar një klimë miqësore me biznesin. Një klimë miqësore që mesa shoh ka munguar deri më sot.

Ulja e taksave si dhe bërja e dukshme e shumë proceseve të padukshme në qytetin e Tiranës, do të bëjë që jo vetëm të mos pakësohet buxheti, por do të ndikojë që të rritet 10 përqind. Ju jap vetëm një shembull, nëse në Tiranë janë të licencuara 950 taksi, janë sic më referojnë dhe afër tre mijë të tjerë që punojnë në të zezë. Do të thotë që nëse u ulim taksën këtyre 950 taksive, dhe realizojmë atë për të cilën unë po punoj për t’ua rimbursuar naftën, në mënyrë që të ofrojmë një shërbim në koston më të mirë për qytetarët por dhe ta pakësojmë trafikun e rënduar që në shumë zona është dhe ndotës i ajrit, do të bëjmë që nga ky përfitim që do të kenë këto taksi të licencuara, edhe ato 3 mijë të tjerat do ta kenë të pamundur të punojnë në kushtet që punojnë sot, edhe atyre do t’u interesojë, me kushtet e reja të Bashkisë, që të licensohen, do të thotë që nga poshtë tavolinës, të dalin mbi tavolinë. Dhe kështu vetëm ky shembull i vogël që po ju jap, nga 950 do të jenë afërsisht 4 mijë, dhe kështu, nga pak të gjithë, nuk do të jetë më pak, nëse bashkohen të gjithë dhe taksa bëhet e ulët por për të gjithë njësoj. Taksat e larta prishin konkurrencën dhe krijojnë mundësi për t’ju shmangur atyre.

Kur zoti Rama ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës me shumë të drejtë ka kërkuar dhe ka luftuar që taksën e vogël nga qeveria ta merrte si kryetar Bashkie. Ajo që më duket pak e cuditshme është se dhe këtë taksë nga Bashkia ja coi qeverisë, se shpesh herë mund edhe të përdoret si presion ndaj Bashkisë duke vonuar derdhjen në buxhetin e Bashkisë, për të tentuar dicka politikisht jo të drejtë në kurriz të qytetarëve.

Unë do të luftoj dhe do të punoj që jo vetëm këtë taksë ta kthejë në Bashki, se i takon asaj, por do përpiqem që karshi bizneseve të mëdhaja që taksat i derdhin në pushtet, të marr një përqindje të vogël, për t’ju ofruar atyre shërbime më të mira që qyteti i Tiranës mund t’ju ofrojë përreth zonës ku punojnë, qoftë në përpunimin e mbeturinave, qoftë në rrugë apo investime përreth, që e lehtësojnë biznesin e tyre. Unë kam planifikuar, nga pak por në shumë drejtime, jo vetëm që nuk do të rëndoj njerëzit, jo vetëm që nuk do rëndoj bizneset, por përkundrazi do të mbushet më shumë buxheti i Bashkisë. Vetëm nga taksa e vogël e transferuar në Qeveri, me informacionin që kam, është grumbulluar vetëm 60 përqind e saj, sepse më e interesuar është Bashkia. Kështu që kjo i takon Bashkisë dhe në përgjithësi do të punoj për rritjen e decentralizimit dhe të autonomisë bashkiake. Në fund të fundit, kryetari i Bashkisë, kushdo qoftë, në këtë rast po flas për veten time, duhet të ketë përgjegjësinë për cdo gjë në qytet. Nuk mund t’u shfajësohet qytetarëve duke u thënë “Jo kjo s’është e imja është e qeverisë”. Kemi parashikuar për këtë krijimin e një zyre avokatie përbri meje, e cila do të marrë cdo lloj shqetësimi, cdo lloj padrejtësie që qytetarët mendojnë se është bërë në kurriz të tyre, do ta adresojnë në këtë zyrë dhe do të jenë ekspertët e saj që do të hapin zyrat e qeverisë për të zgjidh problemet e qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Sic e përmendët dhe ju, është gati i pashmangshëm bashkëpunimi mes bashkisë dhe qeverisë. Por të paktën këto dy vitet e fundit në Tiranë, nga Bashkia aktuale qeveria është akuzuar se e ka bllokuar. Pala tjetër ndërkohë thotë se Bashkia është përdorur për qëllime politike. Ju a e shikoni të vështirë faktin që sot në pushtet është një qeveri e majtë, jo e partisë tuaj?

Z.Halim Kosova: Unë nuk e shoh në këtë këndvështrim. Në radhë të parë, unë nuk jam konkurrent me zotin Rama si kryeministër i ardhshëm. Eshtë zoti Basha që konkurron se kush do të drejtojë qeverinë e ardhshme dhe zgjedhjet janë pas dy viteve, ndërsa kryetari i Bashkisë zgjidhet për katër vjet. Më duket non sens që një figurë politike, aq më tepër që kryeministri i vendit, të thotë që nëse janë socialistë unë do t’ ndihmoj, nëse janë demokratë unë nuk do t’i ndihmojë. Kjo më duket thelbësisht gabim dhe antikushtetuese. Dhe mendoj se po përdoret sic u përdor shëndetësia falas nga qeveria dhe të gjithë jemi dëshmitarë që nuk kemi asnjë shenjë në atë drejtim. Megjithatë, unë vij këtu jo si një politikan tipik, i cili zihet dhe bën sherre duke lënë pas pengesa apo projekte të parealizuara për qytetarët. Unë vij si drejtues prej 15-16 vjetësh, si drejtues në institucione qendrore të sistemit shëndetësor ku kam ndërruar shumë kryeministra. Kam patur afërsisht 10 ministra, dhe me të gjithë, pavarësisht pikëpamjeve që ata kanë patur unë kam zgjedhur rrugën e bashkëpunimit si rrugën më të mirë për t’i bërë qytetarëve të arrijnë shërbimet që ata meritojnë. Kështu që këtë lloj mënyre, bashkëpunimin nuk kam pse të mos e vazhdoj dhe tani, kur ajo më ka rezultuar shumë e suksesshme. Dhe i kam të gjitha premisat që asnjë lloj projekti të mos pengohet, vetëm në bazë të komunikimit që unë kam me cdo lloj instance apo me cdo lloj partie qoftë në pushtet, sot shumica aktuale, nesër mund të ketë një koalicion tjetër. Prandaj nuk duhet menduar se si një parti të kapë të gjithë pushtetet. Qeveria do bëjë politikat e veta për të gjithë vendin, unë do të bëj politikat e menaxhimit të qytetit të Tiranës dhe nëse një qeveri thotë se do bëj më të mirën për qytetarët, dhe një kryetar Bashkie thotë se do bëjë më të mirën për qytetarët, vetëm tavolina e bisedimit, apo e thënë në mënyrë figurative, ajo kafja mes dy palëve, do të shërbente që me të vërtetë cfarë thotë qeveria dhe kryetari i Bashkisë të përkthehej në të mirë të qytetarëve.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosova, ju kam dëgjuar shpesh gjatë fushatës të flisni për investime të rëndësishme, ndërtime shkollash e kopshtesh, por a keni ju një faturë se sa është kostoja e këtre investimeve?

Z.Halim Kosova: Për cdo fjalë që kam thënë dhe cdo premtim që kam marrë unë kam një faturë. Në cdo lagje e fshat ku kam shkuar, pasi ata më kanë referuar problemet e tyre paraprakisht, kam shkuar me objektiva të qarta, me afate dhe me faturën përbri këtyre investimeve. Faturë e cila dhe kur më ka thënë dikush, “po rrumbullakose, thuaj 1.2 apo 12 milion dollarë”, jo, e kam thënë tamam sic është, deri me qindarkën e fundit, që do të thotë se janë të mirëpërcaktuara të gjitha kostot për të bërë realitet një projekt të caktuar. Që ju ta dini, fondi i Bashkisë do të jetë rreth 120 milion dollarë, ku është parashikuar që 60 deri 70 përqind të përdoret për investime. Po kështu dhe për ujësjellësin që e ka buxhetin 30 milion dollarë dhe 60 përqind do përdoret për investime.

Ajo që njerëzit nuk dinë, ndonëse e kam thënë herë pas here, është që gjatë gjthë momenteve që kam drejtuar në sistemin shëndetësor ku kam punuar për një kohë të gjatë, kam arritur, dhe gjërat janë transparente, që të mos mungojë aasnjë gjë dhe cdo gjë ta marr 30 përqind më pak. Pra norma e kursimit tim ka qenë 30 përqind afërsisht, pak më pak si ministër I Shëndetësisë se dhe koha ishte shumë e shkurtër dhe situata ishte alarmante, por kjo lloj norme e zbritjeve të cmimeve fillestare për tenderin përkatës, më ka bërë që jo vetëm të realizoj të njejtën sasi ilacesh, apo pajisjesh mjekësore , por të kursej, duke i vënë prapë në përdorim të qytetarëve aty ku ka qenë i drejtuar projekti. Kështu që edhe këto fonde, që unë kam në dispozicion, të jeni të sigurtë që jo vetëm do të jenë për të mbuluar cdo lloj projekti që kam deklaruar deri më sot, por të jeni të sigurt, dhe qytetarët do ta shohin shumë shpejt, se mua do të më teprojnë para nga këto duke bërë tendera transparent, pse jo nën vëzhgimin e media, e nën vëzhgimin e qytetarëve, akoma më e rëndësishme kjo, në mënyrë që me të njejtat para ne të bëjmë më shumë punë.

Ajo që unë e kam prekur disi po nuk I kam vënë shumë theks gjatë fushatës se mund të quhet propagandë është dhe kjo që me të gjitha investimet, me të gjithë donatorët e fuqishëm me të cilët unë kam patur të bëjë, Banka Botërore, USAID-i, BE-ja, UNICEF dhe shumë donatorë të tjerë, kam treguar që jo vetëm paratë kanë shkuar deri në qindarkën e fundit aty ku janë nisur, por kanë shkuar dhe të shumëfishuara rrugës duke u kthyer në të mira për qytetarët në vlera shumë të mëdha në punën e përditshme. Dhe ju e dini shumë mirë që kur presidenti Bush erdhi në Tiranë, zonja Laura Bush erdhi në maternitetin që unë drejtoja, si një qendër ku në mënyrë transprente, shumë të efektshme, pa asnjë lloj devijimi të fondeve, cdo gjë shkonte në të mirë të nënës dhe fëmijes dhe nuk e kam sekret që para 20 ditësh, presidenti Bush më dërgonte një letër dhe më falenderonte dhe një herë për punën e bërë në sektorin e nënës dhe fëmijes dhe më uronte për punën time dhe të stafit, dhe unë këtë e ndava me stafin e maternitetit, i ftova dhe ua lexova duke u thënë se ky është një vlerësim i punës tonë të përbashkët.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosova, është një problem i vjetër i Tiranës për të cilin ju folët dhe pak më lartë. Në fushatë keni premtuar furnizimin 24 orë me ujë të kryeqytetit. Për sa kohë mund të realizohet dhe cfarë investimi kërkon?

Z.Halim Kosova: Shumë gjëra në dukje të padukshme, dhe më parë unë i kam bërë të dukshme dhe të realizueshme, pra ato që dukeshin të pamundura, i kam bërë të mundura. Dhe për rastin konkret duke qenë dhe banor i Tiranës, unë e shoh jo vetëm mundësinë për të patur ujë, sepse ujë mund të kenë njerëzit tani, me depozita e me pompa. Por është ujë që rreikon dhe dëmton. Këtu bëhet fjalë që do të hiqen të gjithë depozitat mbi pallate, që lënë shumë për të dëshiruar, e të gjitha mjetet e tjera ndihmëse dhe Tirana për herë të parë brenda mandatit tim, kam marrë angazhimin , kam objektivat dhe projektet gati me të gjithë fondet që të ketë 24 orë ujë. Për ta vazhduar dhe më tej bisedën, fondet që duhen për këtë qëllim janë 50 milion dollarë dhe difekti kryesor nuk është se Tirana ujin dhe burimet që ka në dispozicion i harxhon, por difekti kryesor është se ato ikin në drejtim të paditur nga amortizimi i rrjetit ekzistues prej shume e shumë vitesh. Nuk po futem në projektin se e di me hollësi, por po them vetëm një detaj, që rreth 200 kilometra rrjet i transmetimit të ujit që është i amortizuar, ne do ta zëvendësojmë me rreth 180 kilometra sistem të ri bashkëkohor, cilësor i cili do të bëjë që cfarëdo niset në burim do i shkojë qytetarit. Dhe si për ujin ashtu dhe për buxhetin, cfarë do niset nga bashkia do i shkojë qytetarit, duke mos lejuar asnjë lloj lidhje të paligjshme si në buxhet dhe në sistemin e ujësjellësit, të jeni të sigurtë që cilësia e jetës së qytetarit do të rritet shumë. Ne për këtë kemi një plan shumë të detajuar. Krahas punës që do nisim në të gjithë Tiranën, ne kemi marrë angazhim që njësia numër 2 që është një njësi nga më të zgjeruarat, ne do bëjmë që brenda vitit të parë ata ta provojnë ujin 24 orë. Edhe për efekte teknike, Tirana do të ndahet me zona, që për cdo lloj difekti të mos e vuajë gjithë Tirana, por që aty ku është difekti të ketë mundësi të riparohet. Për cdo projekt që ne do marrim përsipër të realizojmë kemi vënë dhe fondin për mirëmbajtje, se asnjëherë nuk mund të parashikohen gjërat që dalin rrugës, në mënyrë që cdo gjë e vogël të mos bëhet e madhe e të riparohet menjëherë. Pra për cdo projekt do të kemi dhe fondin e mirëmbajtes që është gati tre herë më i madh se ai ekzistues.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosova, në katër vitet e fundit Tirana është drejtuar nga zoti Lulzim Basha, i cili është dhe kryetari i partisë demokratike. Kjo për ju gjatë fushatës ka qenë një avantazh apo një pengesë, duke u nisur nga fakti që ka patur mjaft kritika ndaj punës së Bashkisë në këto katër vite?

Z.Halim Kosova: Unë, duke qenë se nuk jam një politikan tipik, dhe këtë e kam shpreh, por jam kryesisht një menaxher. Dhe logoja ime, po ta shihni thotë, “Punë jo Fjalë”. Unë nuk rri të merrem me faje të mëparshme, apo cfarë është bërë këto katër vjet, apo cfarë nuk është bërë këto katër vjet apo 11 vjet të tjera. Unë merrem me atë që kam përballë, që do të thotë do t’ja hyj punës për të realizuar ato që qytetarët më kanë shtruar si problem, përmes atyre 5 kollonave kryesore. Por anga ana tjetër, nuk më pengon askush që projektet të suksesshme për katër vite apo 11 vite të tjera ti avancoj, ashtu sikurse gabimet e bëra këto katër vjet apo dhe 11 vjet të tjera, unë t’i përmirësoj dhe të shoh pse nuk kanë ecur. Cilat janë hallkat që kanë bërë që një gjë e nisur nga Bashkia të mos shkojë aty ku duhet. Megjithatë, nëse sinqerisht do më pyesni dhe unë sinqerisht do t’ju përgjigjesha, se është më mirë të mendohesh mirë para se të nisësh një gjë, se sa ta bësh gabim. Kosto e asaj që bëhet gabim është jashtëzakonisht e madhe dhe me shumë pasoja. Plani urbanistik i miratuar në këto katër vite do të jetë një udhëzues shumë i mirë edhe për industrinë e ndërtimit dhe qytetin e Tiranës, në të cilin, nëse unë do shoh, që politika pavarësisht sa e egër është me njëra-tjetrën, është bashkuar në dëm të interesit qytetar, unë do të jem me qytetarin.

Zëri i Amerikës: Megjithatë përse zoti Basha nuk është parë në fushatën tuaj. Tirana është Bashkia më e madhe dhe ka dhe një peshë politike po kaq të madhe.

Z.Halim Kosova: Në radhë të parë me zotin Basha kam kontakte të vazhdueshme nga mëngjesi deri në darkë. Kemi mbledhje të përbashkëta me Shtabin, ku secili hedh në tryezë mendime dhe diskuton se cfarë po ecën mirë dhe cfarë duhet bërë më mirë. Në një takim elektoral kur më pyetën, duke qeshur i thashe, dhe në të vërtetë është realiteti. Në një kryqëzim ku ka shumë makina mund të shkosh të shtysh një makinë që ka ngecur, jo një që po ecën. Ata kanë vlerësuar se fushata ime e etiketuar si origjinale, sepse unë nuk mund të ndërroj në këtë moshë dhe pas 35 viteve punë, ka rezultuar e suksesshme. Bile jo vetëm kaq, por po të vini re, fatmitrësisht, edhe shumica, një ditë dy ditë pasi unë kam hedhur një ide e ka përqafuar dhe e ka thënë pak a shumë po ashtu. Do të thotë që unë jo vetëm kam ndikuar për mirë në fushatën elektorale në qytetin e Tiranës, por një lloj mësimi ndoshta se si duhen bërë këto fushata në të mirë të njerëzve, e konsideroj një kontribut që me modesti mund ta kemi dhënë duke ndjekur linjën time.

Zëri i Amerikës: Zoti Kosova, përse një qytetar i Tiranës do të duhet t’ju votojë ju si kryebashkiakun e ardhshëm të Tiranës?

Z.Halim Kosova: Nuk është se është hera e parë që emri im qarkullon për Bashkinë TIranës. Kjo është hera e tretë. E treta e vërteta, dhe më ka qëlluar dhe numri 3, apo dhe për detyra të tjera shumë të rëndësishme në vend. Ajo që unë kam vendosur tani dhe kam vënë emrin në tavolinë me shumë kënaqësi drejt kësaj detyre, ka qenë ajo që unë vlerësoj se në qytetin e Tiranës më shumë se cdo herë tjetër vlerësohet ndershmëria dhe njeriu, dhe jo fallciteti apo hipokrizia. Ajo që unë vlerësoj më shumë dhe nga takimet e bëra, po dhe përpara kisha informacione sepse gjithnjë kam qenë në kontakt me njerëzit, është ajo që njerëzit kanë nevojë jo vetëm për projekte apo programe, se për to ne shqiptarët jemi bërë ekspertë në këto 25 vite, por për njeriun që këto programe e letra, i bën realitet. Dhe një njeri që këto programe apo letra të bëra nga ekspertë shumë profesionistë, i bën realitet. Unë kam dhënë prova gjatë gjithë jetës sime se me punë, jo fjalë, me këmbëngulje, me vision, me objektiva, me standarte dhe afate kam bërë që gjithnjë unë t’i bëj realitet. Dhe mendoj se qytetarët e Tiranës, më shumë dhe kanë arsye të votojnë për mua se jam një njeri me provë, se sa një njeri që mund të vijë nga forca politike të ndryshme ku Tirana ka eksperienca se si projekte të ndryshme kanë devijuar një pjesë e fondeve për të vadit dhe ushqyer partitë politike. Në rastin tim, me cfarë shoh cdo minutë e cdo takim që bëj, qytetarët janë të bindur se Bashkia e Tiranës me në krye mua do ti kthehet më në fund qytetarëve, sepsa janë ata zot të qytetit, janë ata që paguajnë taksa. Kryebashkiaku nuk është qytetari i parë i Tiranës por njeriu i parë që merr përgjegjësi për të bërë më të mirën për banorët e këtij qyteti dhe unë jam i sigurt se modeli që do të ofroj në Tiranë, pse jo ashtu sikurse dhe në sektorin shëndetësor të mëparshëm, do të shërbejë si një model i suksesshëm për t’u transferuar shumë lehtë dhe në qytete të tjera të mëdha dhe jam i sigurt se do të jem shembull se në cfarë drejtimi duhet në të ndjekim punët për të arritur sukseset apo objektivat që i caktojmë vetes.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG