Lidhje

Kosovë: Çështja e gjykatës së posaçme

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, kryeministri Isa Mustafa, tha se institucionet nuk guxojnë të rrezikojnë dështimin për ngritjen së Gjykatën së posaçme që do të trajtojë pretendimet për krime lufte të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai tha se dështimi do të shënonte një kthim prapa për Kosovën të cilës i është bërë e qartë se në një rast të tillë, çështja do të kalonte tek Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Themelimi i kësaj gjykate është miratuar nga parlamenti i Kosovës në pranverën e vitit të kaluar, por procesi i funksionalizimit të saj kërkon ndryshime ligjore e kushtetuese, të cilat kryeministri Mustafa tha se do të fillojnë të hartohen brenda pak ditësh.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, tha të mërkurën se brenda pak ditësh, qeveria do të çojë përpara procesin e themelimit të Gjykatës së Posaçme që do të trajtojë pretendimet për përfshirje të ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në krime lufte. Në një debat të hapur të organizuar nga lëvizja Fol, ai tha se dështimi i mundshëm i institucioneve të Kosovës do të shënonte një kthim prapa, meqë çështja pastaj do të kalonte në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai tha se institucionet duhet të bëjnë ndryshimet kushtetuese që lidhen me këtë gjykatë, të miratojnë ligjin për këtë çështje dhe të hartojnë statusin e saj. Para se të shtrohet çështja në parlament, Gjykata Kushtetuese duhet të jap opinionin e saj për ndryshimet kushtetuese.

Në prill të vitit të kaluar parlamenti i Kosovës me 89 vota për e 22 kundër miratoi themelimin e gjykatës së posaçme. Ndërsa tani vendi duhet të përgatisë infrastrukturën ligjore për themelimin e saj. Kryeministri Mustafa ta se themelimi i saj është detyrim që duhet përmbushur, pavarësisht se askush nuk është i kënaqur me të...

Është një çështje që nuk është e lehtë. Është një detyrim që e kemi marrë. Është një çështje e cila i ndihmon Kosovës në mënyrë që ne të spastrojmë të gjitha dyshimet lidhur me vepra të ndryshme. Unë konsideroj që nuk është e drejtuar ndaj luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është çështje që është e drejtuar ndaj individëve të caktuar. Por, është një proces që ne duhet ta kapërcejmë”, tha kryeministri Mustafa.

Një numër i deputetëve të partive në pushtet dhe opozita kanë kritikuar udhëheqësit e vendit për mungesë të transparencës rreth këtij procesi dhe kanë paralajmëruar votimin kundër saj. Kryeministri Mustafa tha se dështimi do të ishte një prapakthim i rëndë për Kosovën.

Do të ishte rrezik shumë i madh të dështojmë, sepse e kemi porosinë e qartë që në qoftë se këtë nuk ë bëjnë institucionet e Republikës së Kosovës, përkatësisht qeveria dhe kuvendi i Kosovës, atëherë mund të vendoset në Këshillin e Sigurimit me kërkesën e anëtarëve specifik të Këshillit të Sigurimit dhe kjo do të na kthente diku në vitin 1999”, tha ai.

Ideja për themelimin e gjykatës pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dikc Marty për trafikim organesh në Kosovë, përkatësisht përfshirjen e disa prej ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës.

Në dhjetor të vitit të kaluar amerikani David Schwendiman është emëruar në postin e kryeprokurorit të Grupit Hetues të Bashkimit Evropian, për hetimin e këtyre pretendimeve, duke pason në këtë post prokurorin amerikan Clint Williamson, i cili u tërhoq në gusht të vitit të kaluar nga kjo detyrë.

Në fund të muajit korrik të vitit 2014, prokurori Williamson tha se zyrtarë të lartë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të përballen me akuza për krime kundër njerëzimit.

Hetimet kishin nxitur reagime dhe protesta ne Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.

Ngritja e gjykatës së posaçme nuk është parë me sy të mirë as nga qeveria e Kosovës, ndërsa diplomatët ndërkombëtarë po bëjnë thirrje për përshpejtimin e themelimit të saj, në radhë të parë, siç thuhet, për të hequr retë nga emri dhe historia e Kosovës.

XS
SM
MD
LG