Lidhje

Kosovë, AAK kërkon koalicion të gjerë qeverisës


Kosovë, AAK kërkon koalicion të gjerë qeverisës

Kosovë, AAK kërkon koalicion të gjerë qeverisës

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk do të hyjë në koalicion qeverisës me Partinë Demokratike, nëse aty nuk përfshihet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Ky qëndrim u bë i ditur pas mbledhjes së sotme të Këshillit Drejtues dhe Kryesisë së kësaj partie, e cila në zgjedhjet e parakohshme parlamentare u radhit si forca e katërtë politike.

Një ditë më parë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vërtetoi rezultatet e zgjedhjeve që nxorën Partinë Demokratike të Kosovës fituese me 34 deputetë në Parlamentin 120 vendesh, të pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 27 deputetë, lëvizja Vetëvendosje me 14, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 12 dhe Aleanca Kosova e Re me 8 deputetë. Ndërkaq, pjesa tjetër prej 25 deputetësh është ndarë nga partitë politike nga radhët e komuniteteve pakicë.

Lidhja Demokratike e Kosovës shpalli se do të qëndrojë në opozitë, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e përvijua si një nga partnerët e mundshëm të koalicionit të ardhshëm qeveritar. Por, sot kjo parti, ndonëse nuk ka marrë asnjë ftesë nga Partia fituese, ka vendosur që siç tha zëdhënësi i saj Besnik Tahiri të dalë me një propozim të veçantë për qeverinë e ardhshme.

Këshilli Drejtues dhe Kryesia e AAK-së janë të bindur se rrugëdalja më e mirë në rrethanat e sotme në Kosovë, është krijimi i koalicionit të gjerë midis PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, si mundësi e vetme për të tejkaluar situatën e rëndë në të cilën gjendet Kosova”.

Një përbërje të tillë, thuhet në qëndrimin e kësaj partie do të hapte mundësitë për të ruajtur qëndrueshmërinë e shtetit, tejkalimin e ngërçit politik, përmirësimin e kuadrit ligjor për zgjedhjet dhe vendosjen e sundimit të ligjit si përparësi të pashmangshme.

Në rast të mos-mbështetjes së këtij propozimi nga subjektet tjera politike, Këshilli Drejtues dhe Kryesia e AAK-së vendosin sot që AAK-ja përfundimisht të qëndrojë në opozitë parlamentare”.

Nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës e as të Partisë Demokratike e cila ka paralajmëruar që gjatë kësaj jave të zhvillojë bisedime me partitë tjera për themelimin e një qeverie, siç është thënë, shumetnike e shumë përfshirëse. Në tryezë është hedhur edhe mundësia që pjesë e qeverisë të jetë Aleanca Kosova e Re, por edhe kjo ka kushtëzuar deri tash përfshirjen në qeveri me kërkesën që të ketë postin e presidentit për udhëheqësin e saj Behxhet Pacolli.

Ditët në vazhdim pritet të ngjallin procesin e krijimit të institucioneve të reja edhe me mbështetjen që mund t’i japin këtij procesi diplomatët ndërkombëtarë, të cilët sot në Bruksel, po diskutojnë gjendjen në Kosovë në kuadër të takimit të Grupit Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën. Në takim po merr pjesë edhe Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Evropën Tom Kantrimen, i cili nesër pritet të arrijë për një vizitë dyditëshe në Kosovë, pas së cilës do të qëndrojë edhe në Tiranë në përpjekje për të ndihmuar tejkalimin e situatës aktuale politike në Shqipëri.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG