Lidhje

Kosovë: Arrestime për incidentin në Dobrosin


Fshati Dobrosin në Luginën e Preshevës

Fshati Dobrosin në Luginën e Preshevës

EULEX-i bëri të ditur se arrestimet lidhen me të shtënat mbi postbllokun e policisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, bëri të ditur se dy persona janë dërguar në paraburgim, nën dyshimet për përfshirje në një incident të pasqaruar në zonën kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Tre të tjerë janë urdhëruar të paraqiten në stacionin e policisë dhe u janë marrë pasaportat.

Të gjithë këta janë arrestuar më 1 korrik nga policia e EULEX-it dhe janë akuzuar për siç thuhet, “kryerje të veprës terroriste dhe pjesëmarrje në grup terrorist”, nën dyshimet për të shtëna në një postbllok të policisë serbe.

Më 28 qershor, autoritetet serbe thanë se një pjesëtarë i policisë së Serbisë, është plagosur lehtë në një incident të pasqaruar në fshatin Dobrosin të komunës së Bujanocit, një nga tri komunat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë.

Policia serbe tha se “sulmues të panjohur kanë shtënë me armë automatike mbi postbllokun e policisë në afërsi të kufirit me Kosovës”.

Mjetet serbe cituan zyrtarët serbë të kenë thënë se “oficeri i policisë është qëlluar nga një plumb i devijuar, ndërsa postblloku është qëlluar nga drejtimi i Kosovës”.

Kjo është hera e dytë në dy muajt e fundit që raportohet për sulm në të njëjtin vend. Më 17 maj, policia serbe tha se postblloku u qëllua me armë nga drejtimi i Kosovës, por sulmi kaloi pa pasoja në njerëz.

Në fshatin Dobrosin, ku raportohet se ndodhi incidenti, në vitin 2000 ishte themeluar Ushtria Çlirimtare e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit, një formacion i kryengritësve shqiptarë që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në zonë.

Në maj të vitit 2001, konflikti ndërmjet kryengritësve shqiptarë dhe forcave qeveritare serbe, mori fund me ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtarë.
XS
SM
MD
LG