Lidhje

3 të arrestuar në Kosovë për pjesëmarrje në grupet terroriste


Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar 3 persona të dyshuar për veprën penale të organizimit dhe pjesëmarrjes në grupet terroriste.

Në njoftimin e policisë thuhet se “të dyshuarit janë arrestuar në pikën kufitare të Hanit të Elezit me Maqedoninë pasi që autoritetet turke i kanë kthyer mbrapa përmes aeroportit të Shkupit”. Policia thotë se “tre të dyshuarit janë intervistuar nga prokuroria ndërsa ka bastisur edhe dy lokacione të të dyshuarve në të cilat janë gjetur dëshmi që ndërlidhen me arrestimin e këtyre tre personave dhe të cilat ndihmojnë në vazhdimin e hetimeve për këtë rast”, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur ndërkaq se kanë rritur masat e sigurisë. Në një njoftim të zyrës së kryeministrit të vendit, pas mbledhjes së Këshillit për Siguri të Kosovës thuhet se “është bërë shtimi i masave dhe vigjilencës në vendet publike, institucionet publike, përfaqësitë diplomatike, objektet kulturore e fetare, si dhe në mjediset e përziera etnike. Kryeministri Isa Mustafa u ka bërë thirrje institucioneve të sigurisë “që të jenë të përgatitura në të gjitha aspektet që të përballen me këto sfida dhe të jenë shumë efikase në parandalimin dhe adresimin e tyre, duke bashkëpunuar ngushtë me vendet e rajonit dhe aleatët tanë ndërkombëtarë”, thuhet në komunikatën e zyrës së kryeministrit të vendit.

Kosova është përballur me sfidën e pengimit të ekstremizmit te dhunshëm dhe përfshirjes së qytetarëve të saj në luftërat në Lindjen e mesme.

Policia e Kosovës pohon se aktualisht rreth 100 qytetarë të Kosovës mund të jenë duke luftuar në Siri dhe Irak përkrah grupit militant Shteti Islamik dhe Frontit al-Nusra. Deri tash besohet se rreth 40 qytetarë të Kosovës janë vrarë në ato luftëra.

Në muajin mars, Parlamenti i Kosovës miratoi ligjin që synon parandalimin e qytetarëve të Kosovës që t’u bashkohen luftërave jashtë vendit. Ligji parasheh dënime prej 6 muaj deri në 15 vjet heqje lirie për të gjitha ata që marrin pjesë, nxisin apo ndihmojnë përfshirjen në luftërat e huaja.

XS
SM
MD
LG