Lidhje

Kosovë: Arrestohen katër serbë në lidhje me zgjedhjet e Serbisë


Policia e Kosovës ka arrestuar katër pjesëtarë të komunitetit serb tek të cilët është gjetur material për zgjedhjet lokale serbe të paralajmëruara për fillimin e majit e të cilat janë shpallur të papranueshme nga autoritetet e Kosovës. Policia tha se në mesin e të arrestuarve është edhe përfaqësuesi i strukturave paralele serbe në komunën e Vitisë në Kosovën lindore. Ata janë arrestuar në vendkalimin kufitar tek Dheu i Bardhë në lindje të Kosovës dhe në makinën e tyre janë zbuluar materiale zgjedhore. Sipas policisë, të arrestuarit kanë shkelur rendin juridik të Kosovës.

Autoritetet në Serbi kanë reaguar ashpër ndaj arrestimeve duke paralajmëruar masa të ndërsjella. Në të njëjtin vendkalim kufitar policia serbe ka arrestuar Hasan Abazin, kryetar i sindikatave të industrialistëve të Kosovës derisa po udhëtonte për në Kroaci. Ministri serb i punëve të brendshme Ivica Dacic u ka thënë mjeteve serbe të informimit se ai është arrestuar në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga autoritetet serbe shumë vjet më parë.

Zyrtarët serbë, ndërkaq kanë kërkuar lirimin e serbëve të arrestuar nga policia e Kosovës. Por zyrtarë të këtij misioni thanë se kjo çështje është në përgjegjësi të autoriteteve vendase të Kosovës.

Autoritetet edhe sot janë shprehur të vendosur të mos lejojnë mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, ndonëse pranojnë që parandalimi dhe pengimi i këtyre zgjedhjeve në pjesën veriore të Kosovës paraqet sfidë të veçantë. Kryeministri Hashim Thaçi tha se do të dështojnë përpjekjet e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve në territorin e Kosovës.

“Sepse ne do ta respektojmë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës dhe ky pretendim është vlerësuar dhe vlerësohet edhe sot si pretendim agresioni i Serbisë në Republikën e Kosovës, një pretendim ky që do të dështoj në tërësi dhe ne vazhdojmë të jemi të vendosur duke u përgatitur që për çdo eventualitetet do të përdoret i gjithë autoriteti kushtetues dhe ligjor që të mos lejohet që Serbia të ndërhyj në çështjet e brendshme të Republikës së Kosovës”, tha kryeministri Thaçi.

Kundër zgjedhjeve serbe janë shprehur edhe autoritetet ndërkombëtarë në Kosovë. Misioni i Kombeve të Bashkuara tha se përpjekja e Serbisë për organizimin e zgjedhjeve të saj lokale në Kosovë është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe së këndejmi zgjedhjet e tilla nuk do të kishin as bazë ligjore e as rrjedhoja ligjore.

Edhe diplomatët perëndimore thanë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhje lokale në Kosovë, por kanë të hapur mundësinë që serbëve t’u mundësohet pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare serbe, meqë Kushtetuta e Kosovës garanton shtetësinë e dyfishtë.

XS
SM
MD
LG