Lidhje

Kosovë: Arrestohet nën dyshimet për korrupsion shefi i forcës kundër korrupsionit

  • Leonat Shehu

Në Kosovë, autoritetet e policisë së EULEX-it dhe të policisë së Kosovës kanë arrestuar udhëheqësin e forcë kundër korrupsionit në prokurorinë e posaçme të Kosovës, nën dyshimet për përfshirje në korrupsion. Nazmi Mustafi, shef i forcës kundër korrupsionit dhe një qytetar nga Gjakova, janë arrestuar “nën dyshimet për keqpërdorimin e detyrës zyrtare, përkatësisht për siç thuhet zhvatje parash nga një i dyshuar”.

Duke reaguar pas këtij arrestimi, Transparency International Kosova ka theksuar se kjo ngjarje ka rritur dyshimet e publikut se vetë politika është e përfshirë në afera korruptive si dhe ka nxitur zhgënjim dhe humbje te shpresave tek qytetarët e Kosovës për luftë kundër korrupsionit.

Zyrtarë të institucioneve vendase e ndërkombëtare dhe të shoqërisë civile thanë sot ndërkaq se lufta kundër kësaj dukurie nuk mund të ketë sukses pa angazhimin e të gjithë qytetarëve të Kosovës. Këto komente u bënë gjatë hapjes së një portali për luftimin e korrupsionit nëpërmjet mediave sociale, projekt ky i Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara dhe disa organizatave vendase, që synon angazhimin e qytetarëve për raportimin e rasteve të korrupsionit në Kosovë.

Faik Ispahiu, nga Internews Kosova thotë se qasja e madhe e qytetarëve të Kosovës në internet është një mundësi më e madhe për raportimin e këtyre rasteve.

“Në Kosovë, 71.5 për qind e shtëpive kanë qasje në internet. Kjo është një forcë e madhe sepse këta njerëz munden të komunikojnë jo me komshiun e parë, jo me personin e qytetit tjetër por, këta njerëz munden të komunikojnë me të gjithë botën. Ajo që ne duam ta bëjmë është shfrytëzimi i këtij komunikimi, në mënyrë që të fuqizohet qytetari për të rritur presionin duke u nisur prej kryetarëve të komunave e deri te qeveria qendrore, duke i përfshirë të gjitha institucionet brenda saj”, tha zoti Ispahiu.

Osnat Lubrani nga Ekipi i Kombeve të Bashkuara tha se në Kosovë korrupsioni është problem që ndikon negativisht në zhvillimin ekonomik dhe jetën e përditshme të qytetarëve.

“Një nga faktet më shqetësuese është se kur bëjmë matjen e perceptimit të publikut mbi shkallën e korrupsionit, dëshmohet se ai është shumë i lartë dhe opinioni i publikut është se përpjekjet për të luftuar korrupsionin nuk janë mjaft të frytshme”, tha zonja Lubrani, duke nënvizuar se nisma e sotme është një mundësi më shumë.

Shefi i Agjencisë Kundër Korrupsionit Hasan Preteni, tha se media sociale është bërë një mjet me rëndësi për ndryshime pozitive duke krijuar mundësi që vetë qytetarët të ndihmojnë luftimin e kësaj dukurie.

“Publiku kosovar është mjaft i shqetësuar për nivelin e korrupsionit në shoqërinë tonë. Unë shpresoj në reflektimin e tyre, pasi që fenomeni i korrupsionit i dëmton të gjithë, madje edhe përditshmërinë e shumicës së njerëzve”, tha zoti Preteni.

Autoritetet në Kosovë thonë se janë të përkushtuara në luftën kundër korrupsionit, dukuri kjo që sipas agjencisë kundër korrupsionit është mjaft e lartë dhe i kushton shtrenjtë buxhetit të Kosovës. Sipas, agjencisë vetëm gjatë vitit 2011 janë mbledhur 160 informata për raste të dyshimta për korrupsion, prej të cilave 121 janë denoncuar në prokurori.

Javën e kaluar, ambasadori amerikan në Prishtinë, Christopher Dell tërhoqi vërejtjen se korrupsioni, në të gjitha format e tij, është bërë njëri prej kërcënimeve kryesore me të cilat përballet shoqëria e Kosovës.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG