Lidhje

Atifete Jahjaga – Presidente e Kosovës


Atifete Jahjaga – Presidente e Kosovës

Atifete Jahjaga – Presidente e Kosovës

Parlamenti i Kosovës zgjodhi sonte Atifete Jahjagën në postin e presidentes së vendit, duke e bërë kësisoj presidenten e parë të një vendi Ballkanik. Ajo u zgjodh në raundin e parë të votimeve duke marrë 80 vota të deputetëve, ndërsa kundër kandidatja e saj Suzana Novoberdaliu, deputete nga radhët e Aleancës Kosova e Re mori gjithsej 10 vota. Të pavlefshme u shpallen po ashtu dhjetë vota.

Zgjedhja e presidentes u bë në një seancë të jashtëzakonshme në të cilën morën pjesë 101 deputetë të Parlamentit 120 vendesh. Seancën e Parlamentit e braktisi Lëvizja Vetëvendosje.

Pas betimit, presidentja Jahjaga u zotua “do të jetë faktor bashkues politik dhe përfaqësuese e të gjithë qytetarëve pa dallime etnike. Zgjedhja ime presidente e Republikës së Kosovës, shpreh qëndrimin konsensual dhe marrëveshjen ndërmjet partive politike, parlamentare për kapërcimin e krizës politike dhe për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për të ardhmen e vendit. Duke bërë ndryshimet e nevojshme në Kushtetutën e Kosovës dhe në sistemin zgjedhor, si dhe duke caktuar një agjendë të qartë të veprimeve institucionale për tre vjetët e ardhshëm”, ka thënë Jahjaga.

Ajo tha se asnjëherë nuk ka menduar se do të ketë një post kaq të rëndësishëm politik, ndërsa është shprehur e gatshme të shërbejë për vendin dhe për ndërtimin e institucioneve më të rëndësishme demokratike. “Do të përpiqem të sigurohem se Kosova t’i dëshmojë vlerat më të mira të demokracisë dhe Kushtetutës”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo shfaqi bindjen se bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë janë një proces normal dhe pas përfundimit të tyre “rajoni do t’i kthehet paqes dhe stabilitetit”.

Zgjedhja pasoi një marrëveshje ndërmjet udhëheqësve të Partisë Demokratike, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës Kosova e re, Hashim Thaçi, Isa Mustafa e Behgjet Pacolli, të cilët mbrëmë u dakorduan rreth rrugës së tejkalimit të situatës politike në vend të krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit, ishte jo kushtetuese.

Bisedimet treditëshe të ndërmjetësuara nga ambasadori amerikan Christopher Dell, çuan në marrëveshjen e cila përfshinë edhe pajtimin për ndryshimin e kushtetutës dhe reformimin e sistemit zgjedhor, me çka presidenti në të ardhmen do të zgjidhet me vota të drejtpërdrejta. Sipas kësaj marrëveshjeje zgjedhjet presidenciale mund të mbahen pas më se një viti, ndërsa ato parlamentare pas më se dy vjet e gjysmë.

Sonte, me 75 vota për Parlamenti miratoi edhe një rezolutë, me të cilën përkrah marrëveshjen e arritur të mërkurën në mbrëmje.

Marrëveshja u mbështet nga diplomatët ndërkombëtarë, ndërsa ambasadori amerikan Christopher Dell tha se kjo është dëshmi se “udhëheqësit u treguan të gatshëm t’i vendosin interesat e shtetit para interesave të tyre”.

Por, marrëveshja u kritikua nga dy partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, të cilat ishin përjashtuar nga bisedat për tejkalimin e situatës. Udhëheqësi i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti tha se kjo marrëveshje është dëshmi se të tre nënshkruesit e saj bënë një veprim për interesat e tyre.

Nuk do të rritet standardi i jetesës së qytetarëve, por rehatia e kreut të PDK-së dhe LDK-së. Isa Mustafa po ia jep dy vjet e gjysmë kohë Hashim Thaçit për ta shitur PTK-në, KEK-un e Trepçën me privatizim të egër dhe për ta sajuar një shtet serb brenda shtetit të Kosovës përmes negociatave me Serbinë. Këta dy vjet e gjysmë mund t’i duken të shkurtër Isa Mustafës, porse ata janë shumë të gjatë për qytetarët e Kosovës”, u shpreh Albin Kurti.

Ndërkaq zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thanë se çdo marrëveshje që zgjidh ngërçet politike është e mirëseardhur, por kjo e mbrëmshmja ka vetëm një qëllim, që t’i zgjasë jetën qeverisë së kryeministrit Hashim Thaçi.

Pakënaqësi me marrëveshjen, ka pasur edhe në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, një pjesë e përfaqësuesve të së cilës nuk kanë qenë të pakënaqur me koalicionin qeverisës, ndërsa janë ndjerë të anashkaluar edhe me marrëveshjen e mbrëmshme.

Kush është presidentja e Kosovës

Atifete Jahjaga, u lind më 20 prill 1975 në Gjakovë. Shkollimin fillor, atë të mesëm dhe studimet i mbaroi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ku është diplomuar në vitin 2000.

Karrierën e filloi në Policinë e Kosovës dhe gjatë shërbimit është aftësuar edhe në Qendrën Evropiane të Sigurisë “George Marshall” në Gjermani dhe Akademinë Nacionale të FBI-së në Departamentin e Drejtësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Mançesterit në Angli, ku ka marrë certifikimin pasdiplomik në menaxhimin policor dhe të drejtës penale në vitet 2006/2007, ndërsa tash vazhdon studimet e magjistraturës në shkencat kriminalistike në Prishtinë.

Deri sonte ajo ishte zëvendësdrejtore e përgjithshme e Policisë së Kosovës.

Duke qenë kandidate e një konsensusi më të gjerë, ajo është e para që zgjidhet në këtë post që në raundin e parë të votimeve.

Votimi i sotëm në Parlamentin e Kosovës, do të jetë i fundit për zgjedhjen e presidentit. Marrëveshja e arritur një natë më parë, parashikon që në të ardhmen presidenti të zgjidhet drejtpërdrejtë me votat e qytetarëve të Kosovës.

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG