Lidhje

Kosovë: Brenda këtij viti shpallet kompania që do të ndërtojë një termocentral të ri

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Zëvendëspresidenti i Bankës Botërore, Filip Le Houerou, ka deklaruar sot se sipas vlerësimeve të ekspertëve të kësaj banke Kosova zhvillimin e saj energjetik, detyrimisht, duhet ta mbështesë në shfrytëzimin e rezervave të qymyrit linjit.

Ai citohet t’i ketë bërë këto komente gjatë takimit me kryetarin e Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe me shefat e grupeve parlamentare në kuadër të një vizitë që një delegacion i kësaj banke po i bën Prishtinës. Banka ka mbështetur planet e qeverisë së Kosovës për ndërtimin e termocentralit të ri për prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri linjit.

Ministri i Zhvillimit ekonomik Besim Beqaj tha sot gjatë punimeve të një konference mbi burimet natyrore dhe njerëzore të Kosovës se shpreson në realizimin e shpejtë të projektit, që parasheh ndërtimin e termocentralit me forcë prodhuese prej 600 megavat orë energji elektrike që është rreth 80 për qind e prodhimit aktual në Kosovë.

“Ne besojmë që do të procedojmë dhe plani ynë është që brenda këtij viti të shpallim fituesin, kemi bërë një lëvizje të jashtëzakonshme në përgatitje të dokumenteve, dokumente të cilat janë përgatitur për më pak se tre muaj por të cilat kanë të bëjnë me periudhën 20 vjeçare të zhvillimeve dhe marrëdhënieve kontraktuale të ardhmen në fushën e energjisë”, tha ministri Beqaj.

Organizata të shoqërisë civile kundërshtojnë përshpejtimin e këtij procesi duke kërkuar zgjidhje në prodhimin e energjisë elektrike nga burime të tjera dukë lënë si zgjidhje të fundit përdorimin e qymyrit linjit. Ish ministri i energjisë dhe minierave Ethem Çeku tha se debati rreth kësaj çështjeje jo rrallë sikur shtrembërohet.

“Jepen informacione të gabuara, të një lufte në mes linjitit dhe energjisë alternative, ndonjëherë sikur edhe influencohet që Kosova të mbetet vend i blerjes së energjisë elektrike, ku buxheti ynë duhet të shpenzojë shumë të mëdha për blerjen e energjisë në krahasim me resurset e mëdha të linjitit që i kemi”, tha zoti Çeku.

Projekti fillestar i cili që publikuar në vitin 2006 parashihte një termocentral me fuqi prej mbi 2 mijë megavat orë energji elektrike duke synuar siç është thënë shndërrimin e Kosovës në një fuqi rajonale të prodhimit të energjisë elektrike, por ai më vonë u ndryshua. Aktualisht Kosova prodhon rreth 800 megavat orë energji elektrike, ndërsa nevojat e saj arrijnë në mbi 1 mijë megavat dhe deri në vitin 2018 nevojat pritet të arrijnë në mbi 1 mijë e 500 megavat orë energji elektrike.

“Zvogëlimi i pakos së projektit, asaj pakos e cila ishte planifikuar që në vitin 2012 të përfundon faza e parë e një mijë megavateve, mendoj se në aspektin zhvillimor ka shkuar kundrejt zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha zoti Çeku.

Deri në zgjidhjen e çështjes së sigurimit me energji të mjaftueshme, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG