Lidhje

Kosovë: Sfida e decentralizimit në veri


Autoritetet në Kosovë thonë se detyra më e rëndësishme në procesin e decentralizimit është themelimi i komunës së re në veriun e Mitrovicës

Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë në Kosovë thanë sot se strukturat paralele të mbështetura nga Beogradi po sfidojnë planet për përmbylljen e procesit të decentralizimit të paraparë më planin e krye negociatorit të Kombeve të Bashkuara Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit edhe është shpallur pavarësia e Kosovës. Këto komente u bënë gjatë një konference mbi “Sukseset dhe sfidat e komunave të reja të Kosovës”. Plani i zotit Ahtisaari kishte paraparë krijimin e pesë komunave të reja më shumicë serbe, katër nga të cilat u themeluan pas zgjedhjeve lokale të vitit 2009.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Christopher Dell tha se decentralizimi i pushtetit ka krijuar mundësi për shërbime më të mira për qytetarët dhe komunat duhet të jenë të gatshme për një rol më të madh ne këtë proces.

Ky vit shënon një hap të madh në zhvillimin e Kosovës si shtet, fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë”, tha ambasadori amerikan, duke u bërë thirrje komunave që të bëhen gati për të marrë mbi vete përgjegjësi të reja.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara ishin dhe do të mbeten partnerë të qeverisë qendrore dhe atyre lokale dhe do të mbështesin procesin e mëtejmë të decentralizimit.

“Qëllimi ynë është një Kosovë e fuqishme e pavarur dhe e vet qëndrueshme. Që ajo të jetë një shtëpi përparuese për të gjithë qytetarët e saj”, tha ambasadori Dell.

Ndërkaq, shefi i zyrës civile ndërkombëtare Pieter Faith tha se procesi i decentralizimit tashmë përballet me sfidën kryesore të tij.

“Qartazi detyra më e rëndësishme, e cila mbetet në agjendën e decentralizimit, është themelimi i komunës së re në veriun e Mitrovicës. Javën e kaluar Qeveria e Kosovës e ka marrë një hap shumë të rëndësishëm drejt realizimit të këtij synimi, me vendimin për themelimin e zyrës administrative për Mitrovicën veriore”, tha zoti Faith, duke nënvizuar se ky është një hap me rëndësi drejt përmbushjes së kësaj detyre.

Zëvendëskryeministri i Kosovës Slobodan Petroviç, që njëherësh është edhe ministër pushtetit lokal, tha se komunat e krijuara pas zgjedhjeve të vitit 2009 duhet të shërbejnë si shembull edhe për procesin e decentralizimit në veri.

Madje edhe siguria dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve kanë shënuar përparim në komunat e reja”, tha zoti Petroviç, duke nënvizuar se fakti që ekzistojnë struktura paralele, që veprojnë në këto komuna ato nuk kanë penguar funksionimin e tyre. Por, ai tha se këto struktura paraqesin një sfidë të posaçme në pjesën veriore.

Planet për krijimin e komunës së veriut të Mitrovicës, janë kundërshtuar nga Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në atë zonë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Ata kundërshtuan edhe planet për ngritjen e zyrës administrative të qeverisë së Kosovës në veri.

Ngritja e kësaj zyreje është mbështetur nga diplomatët perëndimorë të cilët i kanë bërë thirrje Serbisë të ndihmojë shtendosjen e situatës dhe të mënjanojë strukturat paralele të sigurisë, ndërsa Prishtinës i kanë kërkuar një plan gjithëpërfshirës për zgjidhjen e situatës në veriun e Kosovës.
XS
SM
MD
LG