Lidhje

Kosovë: Debat për rezolutën e OKB-së

  • Leonat Shehu

Kosovë: Debat për rezolutën e OKB-së

Kosovë: Debat për rezolutën e OKB-së

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha sot se rezultati i bisedimeve mes Prishtinës e Beogradit do të ishte më i vlefshëm nëse Bashkimi Evropian, në procesin e ndërmjetësimit si mbështetës do t’i kishte edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai tha se bisedimet me Serbinë nuk do të dështojnë nëse sipas tij ato përqendrohen në dobi të qytetarëve të të dyja vendeve.

Zoti Krasniqi i bëri këto komente gjatë një debati të mbajtur në Çagllavicë afër Prishtinës, ku u diskutua rezoluta e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Ai tha se për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ketë një qëndrim të përbashkët brenda Bashkimit Evropian si ndërmjetësues në bisedime.

“Mund të them se pala kosovare nuk do t’i prishë bisedimet dhe për palën kosovare nuk do të dështojnë. Nëse vërtet është në pyetje çështja e të mirave për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe nëse bisedimet shkojnë në drejtime për të ndryshuar kualitetin e jetës, për ti ndryshuar marrëdhëniet ndër njerëzore, për stabilitetin dhe sigurinë në rajon pala kosovare do të jetë e hapur çdo herë për dialog”, tha zoti Krasniqi

Përfaqësuesi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Andy McGuffie tha se Rezoluta e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ka hapur një agjendë të re në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij përgjegjësia për përparimin në bisedimet e paralajmëruara u takon Prishtinës e Beogradit, ndërkohë që Bashkimi Evropian, tha ai, do të ndihmojë në lehtësimin e dialogut.

“Duke folur në emër të një organizate që përkrah institucionet e Republikës së Kosovës, e mirëpresim faktin se Rezoluta dhe dialogu që kërkohet, nuk e rikthen në tryezën e diskutimeve statusin e Kosovës. Gjithashtu vlerësojmë se propozimi gjithëpërfshirës për statusin dhe zgjidhjet e ofruara nga ai, mbesin zgjidhjet më të mira për një Kosovë demokratike dhe shumëkombëshe që I kontribuon stabilitetit rajonal”, tha zoti McGuffie.

Duke e vlerësuar Rezolutën e miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara si fundin e një periudhe 10 vjeçare të, siç tha, ndërtimit të shtetit të Kosovës dhe gjithashtu edhe fundin e mos integrimin e Ballkanit, analisti politik serb Zhivojin Rakoçeviq, tha se ajo mund të shërbejë edhe si një fillim i proceseve integruese.

“Rezoluta në asnjë mënyrë nuk nënkupton njohjen e pavarësisë së Kosovës por ajo shënon një fillim të mundshëm të proceseve integruese në Ballkan”, tha zoti Rakoçeviq.

Rezoluta e re parasheh bisedime të mbështetura nga Bashkimi Evropian të cilat siç thuhet, vetvetiu do të ishin faktor i paqes, sigurisë dhe qëndrueshmërisë në rajon.

XS
SM
MD
LG