Lidhje

Kosovë: Debate rreth prodhimit të energjisë


Kosovë: Debate rreth prodhimit të energjisë
Kosovë: Debate rreth prodhimit të energjisë

Kur flitet për energjinë elektrike në Kosovë, ka një pajtim në shkallë të gjerë se ajo mungon në sasitë e nevojshme për qytetarët e saj. Por, rrugëdalja është burimi i mospajtimeve. Një grup organizatash joqeveritare të mbështetura në një studim të Daniel Kammen, nga Universiteti i Kalifornisë, kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me planet e qeverisë së Kosovës për ndërtimin e Termocentralit të ri për prodhim të energjisë nga linjiti. Ata kërkojnë që para se të merret çfarëdo vendimi për ndërtimin e termocentralit të ri duhet të merren parasysh mundësitë tjera që do të linin si zgjidhje të fundit përdorimin e qymyrit.

Nezir Sinani nga Instituti për zhvillimin e politika (INDEP) tha se Kosova ka mundësi të prodhimit të energjisë elektrike nga burime të ripërtërishme.

“Burimet e ripërtërishme në skenarin më pesimist do t’i siguronin Kosovës deri në vitin 2020, 23 për qind prodhim të energjisë nga burimet e ripërtërishme, mirëpo skenari më i mirë është se do të mund të arrihet deri në 35 për qind”, tha zoti Sinani.

Por, autoritetet thonë se është interes themelor i Kosovës që të ketë energji të sigurt për furnizim të qytetarëve dhe të përballueshme për kushtet e tyre ekonomike. Liridon Mavriqi, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, tha se burimet e energjisë së ripërtërishme janë të kufizuara dhe qeveria është e vendosur të shpallë së shpejti tenderin për ndërtimin e Termocentralit Kosova e re.

“Ky termocentral është një paket që nuk përfshin vetëm ndërtimin e një termocentrali të ri, mirëpo faktikisht përfshin ndërtimin e termocentralit të ri me standardet më të reja të Bashkimit Evropian, përfshinë rehabilitimin komplet të termocentralit Kosova B në bazë të direktivave të Bashkimit Evropian dhe si pjesë e kësaj pakete parashihet që në momentin kur të filloj ndërtimi i termocentralit Kosova e Re, do të mbyllet termocentrali Kosova A”, tha zoti Mavriqi.

Termocentrali i ri i planifikuar të ndërtohet do të prodhonte afërsisht 1 mijë megavat orë energji elektrike dhe pritet të kushtojë nga 700 milion deri në një miliardë euro. Projekti fillestar i cili qe publikuar në vitin 2006 parashihte një termocentral me fuqi prej mbi 2 mijë megavat orë energji elektrike duke synuar siç është thënë shndërrimin e Kosovës në një fuqi rajonale të prodhimit të energjisë elektrike, por ai më vonë u ndryshua. Deri në zgjidhjen e çështjes së sigurimit me energji të mjaftueshme, vendi do të vazhdojë të përballet me vështirësi dhe të varet nga prodhimi i termocentraleve të vjetra e të mbajtura keq që nuk sigurojnë dot energji të mjaftueshme për vendin, janë të dëmshëm për mjedisin dhe detyrojnë qeverinë të investojë në importe të shtrenjta.

XS
SM
MD
LG