Lidhje

Kërkohet baza ligjore për mandatin e EULEX-it


Në Kosovë janë hapur debatet për mënyrën e punës së EULEX-it pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.


Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, tha sot ekzistojnë disa kushte për vazhdimi i mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë.

Këto komente u bënë në kuadër të diskutimeve që po zhvillohen në kërkim të një zgjidhjeje për këtë mandat meqë, nuk ka bazë të mjaftueshme ligjore që EULEX-i të vazhdojë punën pas përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, që pritet të ndodhë në muajin shtator.

Zëvendëskryeministri Kuçi, diskutoi sot me një delegacion të përfaqësuesve ndërkombëtare të përbërë nga Samuel Zbofar, përfaqësues i posaçëm i BE-së, Zëvendës-ambasadorja amerikane në Kosovë, Kelli Degnan, dhe zëvendës-shefi i EULEX-it Andy Sparks.

Në një njoftim të kabinetit të zotit Kuçi thuhet se është diskutuar nevoja për një ftesë zyrtare nga Qeveria e Kosovës, drejtuar Bashkimit Evropian, për vazhdimin e Misionit të EULEX-it në Kosovë, nëpërmjet të të ashtuquajturit “Shkëmbim i Letrave.”

Zoti Kuci citohet të ketë thënë se ky shkëmbim duhet të ketë parasysh: “respektimin e bazës ligjore të Kosovës, kufizimin e mandatit te EULEX-it deri më qershor të vitit 2014, pëlqimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet e Kosovës, krijimin e një marrëveshje dypalëshe në mes të Kosovës dhe BE-së nëpërmjet këtij shkëmbimi letrash dhe miratimin e marrëveshjes nga Parlamenti i Kosovës”.

Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë, që ka shtruar edhe çështjen e mandatit të EULEX-it, nënkupton më shumë sovranitet për institucionet vendase dhe kjo duhet të mundësohet me ndryshimet në kushtetutën dhe ligjet e Kosovës që kanë të bëjnë me kalimin e përgjegjësive nga autoritetet ndërkombëtare tek ato vendase.
XS
SM
MD
LG