Lidhje

Kosovë: Dënohet sulmi me gurë mbi makinat e një delegacioni serb në Prishtinë


Ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian në bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper e ka dënuar sulmin me gurë ndaj një delegacioni të Serbisë në Prishtinë.

Në një komunikatë për opinion të zyrës së zotit Cooper, thuhet se, “aktet e tilla nuk janë në frymën e bisedimeve. Delegacioni ishte pjesë e grupit punues për zbatimin e marrëveshjeve në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian”.

Në reagimin e zotit Cooper thuhet se bisedimet nuk kanë të bëjnë vetëm me arritjen e marrëveshjeve, por çështja më e rëndësishme është zbatimi i tyre dhe përftimi i qytetarëve të të dyja palëve. “Zbatimi është po ashtu, kërkesë kryesore për përparimin e secilës palë në rrugën e tyre drejt integrimeve në Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e zotit Cooper.

Ndaj incidentit ka reaguar shefja e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri.

Të mërkurën, policia tha se është qëlluar më gurë autokolona e një delegacioni të Serbisë, që po qëndronte në Prishtinë, në kuadër të diskutimeve për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Policia tha se makinat e delegacionit serb, që po shoqërohej nga policia e Kosovës, kanë pësuar dëmtime nga pasojat e gurëve, ndërsa nuk ka pasur të lënduar.

Një person është arrestuar në lidhje me këtë incident, gjatë të cilit ndërkaq sipas autoriteteve serbe është lënduar një anëtar i delegacionit të Serbisë.

Kryeministri i Serbisë, Mirko Cvetkoviç, u ka bërë thirrje autoriteteve ndërkombëtare në Kosovë që të zhvillojnë hetimet për të ndriçuar incidentin dhe për të venë autorët para drejtësisë. Ai u tha mjeteve serbe të informimit se incidenti është përpjekje, e siç ka thënë ai, “ekstremistëve për ta frikësuar popullatën serbe, për ta parandaluar dialogun, zbatimin e marrëveshjeve dhe zgjidhjen paqësore të problemeve”.

Që nga marsi i vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia janë angazhuar në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për zgjidhjen e çështjeve praktike të interesit të ndërsjellë. Një numër marrëveshjesh janë arritur gjatë këtyre bisedimeve, por zbatimi i tyre ende është i pjesshëm.

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në shkurt të vitit 2008 dhe deri tash është njohur nga 89 vende të botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG