Lidhje

Kosovë: Dhjetëra të lënduar e mbi 100 të arrestuar në protestat e lëvizjes Vetëvendosje


Kosovë: Dhjetëra të lënduar e mbi 100 të arrestuar në protestat e lëvizjes Vetëvendosje

Kosovë: Dhjetëra të lënduar e mbi 100 të arrestuar në protestat e lëvizjes Vetëvendosje

Disa dhjetëra persona janë lënduar dhe rreth 150 të tjerë janë arrestuar gjatë ndërhyrjes së policisë për të shpërndarë protestat e lëvizjes Vetëvendosje në hyrje të qytetit të Podujevës, rreth 40 kilometra në veri të Prishtinës dhe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tek Dheu i Bardhë rreth 70 kilometra në lindje të Prishtinës. Policia përdori gazin lotsjellës, topat e ujit dhe shkopinjtë e gomës për të shpërndarë turmën prej qindra protestuesve të cilët hodhën gurë dhe shishe mbi policinë.

Policia tha se të paktën 31 pjesëtarë të saj janë plagosur ndërsa janë ndaluar rreth 150 protestues. Sipas policisë mbi 20 protestues janë lënduar, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje pohon se numri i tyre është më iu lartë.

Në mesin e të arrestuarve ka edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës nga radhët e lëvizjes Vetëvendosje.

Një orë pas mesditës, policia ndaloi në hyrje të Podujevës grupet e protestuesve disa kilometra larg vendkalimit kufitar në Merdarë, në veri të Prishtinës dhe tek Dheu i Bardhë. Me moton Serbia nuk kalon, lëvizja vetëvendosje kishte planifikuar për të bllokojë dy vendkalimet kufitare me Serbinë, në funksion të siç thuhet zbatimit të masave të ndërsjella politike, ekonomike e tregtare me Serbinë. Udhëheqësit e saj thanë se protesta pasoi refuzimin e qeverisë së Kosovës për të zbatuar vendimin e Parlamentit të Kosovës të 7 dhjetorit të vitit të kaluar për vendosjen e masave të ndërsjella me Serbinë.

Qeveria e Kosovës cila reagoi sot duke shprehur siç thuhet, keqardhje për veprimet e dhunshme të Lëvizjes Vetëvendosje të drejtuara kundër pjesëtarëve të policisë së Kosovës të cilët janë në mbrojtje të rëndit dhe ligjit. Në një komunikatë për opinion thuhet se Qeveria e Republikës së Kosovës iu bën thirrje krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të shmangin përdorimin e dhunës dhe përpjekjet për të penguar lëvizjen e lirë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Qeveria e Republikës së Kosovës qëndron fuqishëm në mbështetje të policisë së Kosovës e cila me profesionalizëm është duke mbajtur nën kontroll të plotë situatën, thuhet mes tjerash në reagimin e qeverisë e cila kundërshtuar fuqishëm planet e lëvizjes vetëvendosje. Këto plane janë kundërshtuar edhe nga institucionet tjera vendase e ndërkombëtare të cilat kanë shfaqur shqetësimin për mundësinë e shkallëzimit të situatës dhe pasojat që mund të kenë për imazhin e Kosovës. Protestat nuk janë mbështetur as nga pjesa tjetër e partive opozitare të cilat kanë kërkuar zgjidhjen e të gjitha çështjeve nëpërmjet institucioneve.

Ndërkaq, vëzhguesit e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut thanë se ndërhyrja e policisë ishte e ngutshme dhe e panevojshme sepse askush nuk ka qenë i rrezikuar gjatë kohëzgjatjes së protestës dhe se protestuesit nuk kanë provokuar dhunën apo ndërhyrjen. Ndërkaq policia thotë se ka përdorur forcën në pajtim me ligjin dhe rregullat.

XS
SM
MD
LG