Lidhje

Kosovë: Digjen dy makina të EULEX në Prishtinë

  • Leonat Shehu

Kosovë: Digjen dy makina të EULEX në Prishtinë

Kosovë: Digjen dy makina të EULEX në Prishtinë

Zyrtarë të Policisë së Kosovë kanë bërë të ditur se dy makina të Misionit të Bashkimit Evropian për Polici e Drejtësi janë djegur sot në orët e hershme të mëngjesit në një lagje të Prishtinës.

Policia tha se nuk dihen ende motivet apo autorët e mundshëm të këtij incidenti të cilin ajo e ka cilësuar si “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”.

Zyrtarë të EULEX-it thanë se makinat janë djegur jashtë apartamentit të një pjesëtari të Misionit, por nuk ka dëshmi nëse ky zyrtar ishte shënjestër e ndonjë sulmi.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, tha se policia është duke i zhvilluar hetimet për të ndriçuar nëse rasti ka të bëjë me zjarrëvënie të qëllimshme

“Sot rreth orës 5 të mëngjesit policia ka marrë informacionin lidhur me një rast të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm, të ndodhur në rrugën "Ferat Dragaj" në lagjen Kodra e Diellit në Prishtinë. Për pasojë ka pasur djegien e dy veturave të Eulex-it, që kanë qenë të parkuara anash rrugës.

Pas marrjes së kësaj informate të gjitha njësit e nevojshme policore për të trajtuar rastin kanë dal në vendin e ngjarjes dhe nga të gjeturat, policia ka filluar një hetim për të sqaruar dhe ndriçuar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me këtë rast, për të konstatuar në qoftë se kemi të bëjmë me ndonjë zjarrëvënie të qëllimshme”, tha zëdhënësi Borovci.

Incidenti është dënuar menjëherë nga institucionet vendase.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, nëpërmjet një komunikate për opinion e ka dënuar fuqishëm siç thuhet “aktin vandal të djegies së dy makinave të misionit të EULEX-it në Kosovë” dhe ka kërkuar nga policia e Kosovës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ndriçimin e këtij rasti dhe sjelljen e shkaktarëve të këtij akti vandal para organeve të drejtësisë”.

“Sulme të tilla ndaj personelit dhe pronës së EULEX-it janë të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë rendit dhe ligjit në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Rreth 1 mije e 400 pjesëtarë të policisë së EULEX-it shërbejnë aktualisht në Kosovë në kuadër të misionit për policinë dhe drejtësinë, që është misioni më i madh i Bashkimit Evropian.

Përveç mbështetjes së institucioneve vendase, pjesëtarët e policisë së EULEX-it trajtojnë edhe rastet e cilësuara si më të vështira

Të ngjashme

XS
SM
MD
LG