Lidhje

Dy serbë të vrarë në rrethinën e Ferizajt


Policia përjashton motivin etnik, të vrarët ishin burrë e grua rreth 55 vjeç nga fshati Talinoc i Ferizajt

Policia e Kosovës, bëri të ditur se dy pjesëtarë të komunitetit serb janë gjetur të vrarë në fshatin Talinoc të komunës së Ferizajt, rreth 40 kilometra në juglindje të Prishtinës. Policia tha se të vrarët ishin burrë e grua rreth 55 vjeç dhe ata ishin gjetur nga një fqinj i tyre.

Zyrtarë të policisë thanë se janë duke zhvilluar hetime intensive për të ndriçuar rrethanat dhe autorët e mundshëm, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhojat e dy plumbave. Viktimat kanë vetëm nga një plagë vdekjeprurëse. Bashkëshortët e vrarë ishin kthyer në fshat në vitin 2004.

Policia tha se ka hapur disa pista hetimesh, por është ende herët të flitet për motivet e kësaj vrasjeje, ndërsa përjashtoi motivin etnik si të mundshëm.
Zyrtarët e policisë në Ferizaj thanë se i vrari ishte bahskëpunëtor i mirë i institucioneve të Kosovës.

Vrasja u dënua nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës. Presidentja Atifete Jahjaga në një komunikatë për opinion thekosi se “kjo vrasje makabre është akt kriminal i patolerueshëm në kundërshtim me vlerat e shoqërisë që po ndërton Kosova, si një shtet qytetar që respekton të drejtat dhe liritë e secilit individ dhe secilit komunitet. Institucionet e vendit janë të përkushtuara që të ndihmojnë dhe të garantojnë secilin qytetar të Republikës së Kosovës, që të kthehen në shtëpitë e veta si realizim i një të drejte themelore të njeriut”.

Kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, e ka cilësuar vrasjen si “akt të shëmtuar dhe të neveritshëm”. Në reagimin e tij ai nënvizon se “aktet e tilla kriminale janë të dënueshme, të papranueshme dhe nuk i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit të vendit”.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, duke e dënuar vrasjen theksoi se “qeveria e Kosovës dhe institucionet e saj kanë shprehur angazhimin dhe vullnetin e tyre për respektimin e të drejtës së kthimit në pronat e veta për të gjithë qytetarët pa dallim etnie, gjuhe apo feje.

Aktet e dhunës, pa marr parasysh motivet dhe aktorët, dëmtojnë angazhimet tona. Andaj edhe kërkojmë nga organet e drejtësisë që të ndriçohet rasti dhe aktorët të vihen para drejtësisë. Dhuna dhe pasiguria nuk do të kenë perspektivë në shtetin e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, thuhet në reagimin e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Vrasja u dënua edhe nga shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara Farid Zarif, i cili në një deklaratë për opinion ka theksuar se "ata që e kanë kryer këtë akt, i kanë bërë një dëm të tmerrshëm autoritetit dhe aspiratave të qytetarëve të Kosovës”.

Ai e ka vlerësuar lartë reagimin e udhëheqësve më të lartë të Kosovës për dënimin e kësaj vrasjeje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG