Lidhje

Adriana Hoxhiç–drejtuese e zyrës administrative në veri

  • Leonat Shehu

Qeveria e Kosovës vendosi sot që të emërojë zonjën Adriana Hoxhiç, drejtuese të Zyrës Administrative në veriun e Mitrovicës.

Muajin e kaluar, qeveria e Kosovës vendosi të themelojë Zyrën Administrative në pjesën veriore të Mitrovicës, e cila do të ofrojë të gjitha shërbimet për qytetarët e asaj zone dhe do të bashkërendoje angazhimet dhe investimet qeveritare në atë pjesë të vendit.



Zyra, sipas planeve, do të sigurojë 80 vende pune dhe do të ketë një buxhet prej rreth katër milion eurosh në vit, për shërbimet bazë për komunitetin dhe projektet e infrastrukturës në Mitrovicën e veriut.

Zyra pritet të hapet deri në fund të muajit qershor, ndërsa deri tash mbi një mijë veta kanë konkurruar për të punuar në të.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Slobodan Petroviç, tha se synimi i qeverisë është që qytetarëve në veri t’u ofrohen mundësi të barabarta për jetë më të mirë.

Jemi të vetëdijshëm për faktin se në veriun e Kosovës tash e 13 vjet, kemi një situatë të paqëndrueshme, një politikë të barrikadave, kundërshtimeve dhe dhunës”, tha zëvendëskryeministri Petrovic, duke shfaqur bindjen se qytetarët në veri të shohin këtë zyrë si mundësi dhe interes të tyre.

Drejtuesja e kësaj zyreje, Adriana Hoxhiç, deri më tash ushtronte funksionin e shefes së ekipit përgatitor për themelimin e komunës së Mitrovicës së Veriut.

Vendimi për hapjen e zyrës administrative i mbështetur nga mekanizmat ndërkombëtarë, është kundërshtuar nga Beogradi dhe përfaqësuesit e serbëve në veriun e Kosovës, ku nuk njihen dhe nuk pranohen institucionet e Prishtinës.

Gjendja në atë zonë ka bërë që të shtohen kërkesat e komunitetit ndërkombëtarë që Prishtina të hartojë një qasje gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e situatës së atjeshme. Në kuadër të debateve për veriun është përmendur mundësia që kjo çështje të jetë pjesë e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Shefi i delegacionit serb në këto bisedime, Borislav Stefanoviç, ka deklaruar sot në Beograd se bisedimet dialogu teknik me Prishtinën ka dhënë rezultate konkrete, por, sipas tij, “tash në radhë janë çështjet politike, si veriu i Kosovës, mbrojtja e serbëve në jug të Lumit Ibër, statusi i manastireve dhe kishave serbe dhe pronat”, prandaj sipas tij, "bisedimet do të udhëhiqen nga një nivel më i lartë shtetëror”.

Ndërmjetësuesi i bisedimeve Robert Cooper po qëndron sot në Beograd, ndërsa nesër pritet të qëndrojë në Prishtinë, në përpjekje për të siguruar rifillimin e bisedimeve.

Të nisura në mars të vitit 2011, ato u ndërprenë në mars të këtij viti, për shkak të zgjedhjeve parlamentare e presidenciale në Serbi.

Gjatë një viti me radhë, palët arritën shtatë marrëveshje të ndryshme përfshirë atë për lëvizjen e lirë, menaxhimin e përbashkët të kufirit dhe për përfaqësimin rajonal të Kosovës, po, zbatimi i tyre është ende i pjesshëm.

Autoritetet në Prishtinë, thonë se bisedimet mund të rifillojnë vetëm pas zbatimit të plotë të marrëveshjeve të deritashme.
XS
SM
MD
LG