Lidhje

Kosovë: EULEX pritet të zgjasë mandatin e tij edhe për dy vjet

  • Leonat Shehu

Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë pritët që të zgjasë mandatin e tij edhe për dy vjet të tjera, ndërsa njëkohësisht do të fillojë shkurtimet në ato fusha ku vlerësohet se institucionet e Kosovës janë mjaft të përgatitura për të përmbushur përgjegjësitë. Komandanti për Operacione Civile të Bashkimit Evropian, Hansjoerg Haber, tha mbrëmë në Prishtinë se brenda javës do të përfundojë procesi rishikimit strategjik për EULEX-in, një proces që synon ta bëjë këtë mision ‘më të fuqishëm, më të sigurt dhe më efikas’. Ai tha se Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dëshirojnë të vazhdojnë mandatin e EULEX-it edhe për dy vjet, ndërsa do të ketë shkurtim të personelit ndërkombëtarë dhe atij veçanërisht në fushën e policisë dhe të doganave. Ai tha se puna e këtij misioni do të përqendrohet në fushën e drejtësisë, nëpërmjet mandatit ekzekutiv të tij.

“Rastet që kanë të bëjnë me krimin e organizuar, korrupsionin dhe krimet e luftës janë shumë të ndërlikuara dhe kërkojnë më shumë kohë, prandaj shtetet anëtare duan të zgjasin mandatin edhe për dy vjet”, tha zoti Haber.

Ndërkaq, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian Samuel Zhbogar, tha se EULEX-i do të ketë detyrë të mbështesë procesin e afrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.

“EULEX-i nuk është këtu vetëm për të ushtruar fuqitë ekzekutive, siç është bërë në të kaluarën, por EULEX-i është një mjet i Kosovës dhe Bashkimit Evropian për të ndihmuar Kosovën në përmbushjen e kritereve që i janë vënë përpara në rrugën evropiane. Me rolin e tij në fushën e sundimit të ligjit, EULEX-i do të ndihmojë proceset paralele të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian që nga liberalizimi i vizave deri te studimi i fizibilitetit”, tha zoti Zhbogar.

Ndryshimet në Misionin e EULEX-it do të fillojnë të zbatohen pas datës 14 qershor të këtij viti, kur pritet të hyjë në fuqi mandati i ri i tij.

EULEX-i u vendos në Kosovë në dhjetor të vitit 2008 për të mbështetur dhe vëzhguar punën e institucioneve të vendit në fushën e sundimit të ligjit, por duke ruajtur për vete edhe disa fuqi ekzekutive. Vëzhguesit thonë se statusi i tij i paanshëm ndaj statusit politik të Kosovës, për shkak të pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e njohin pavarësinë e saj, është një nga pengesat kryesore në funksionimin e këtij misioni.

XS
SM
MD
LG