Lidhje

Kosovë: EULEX-i heton pjesëtarë të personelit të tij


Kosovë: EULEX-i heton pjesëtarë të personelit të tij

Kosovë: EULEX-i heton pjesëtarë të personelit të tij

Misioni i Bashkimit Evropian për policinë dhe drejtësinë në Kosovë, bëri të ditur se ka pezulluar nga puna një punonjës ndërkombëtar të këtij misioni, ndërsa disa të tjerë janë transferuar përkohësisht në detyra të tjera brenda misionit për shkaqe sigurie.

Në një njoftim të shkurtër të këtij misioni, thuhet se të gjithë këta persona kanë qenë pjesë e Njësitit për Mbrojtje të Afërt, të ngarkuar për sigurinë fizike të Shefit të Misionit.

Pezullimi dhe transferimet janë marrë si masa mbrojtëse pasi aftësia e njësitit për të kryer detyrat e tij është komprometuar, thuhet në njoftim por pa dhënë më shumë hollësi rreth natyrës së veprimeve që kanë çuar në këto masa.

Misioni po ashtu ka njoftuar se, “një hetim i veçantë i brendshëm lidhur me akuzat për keqpërdorim të postit zyrtar, i cili është pothuajse në përfundim, është i pa ndikueshëm dhe po vazhdon. Rezultatet e këtij hetimi priten para fundit të muajit”.

Një pjesë e medieve në Kosovës shkruan këto ditë se një punonjës i lartë i EULEX-it ka shpërdoruar pozitën e tij zyrtare duke abuzuar personelin vendas të misionit dhe duke i kërcënuar ata në rast të denoncimit. Zyrtarë të EULEX-it nuk bënë të ditur identitetin e zyrtarit të tyre që po hetohet, e as natyrën e veprimeve, por thanë se po hetohen me hollësi të gjitha dyshimet e ngritura.

Në prill të vitit të kaluar EULEX- i hapi hetime për përfshirjen e një grupi pjesëtarësh të tij në veprimtari të paligjshme, pasi që doganat e Maqedonisë bënë të ditur se kishin penguar një përpjekje për futjen e paligjshme të një sasie të madhe të cigareve dhe pijeve alkoolike nga Kosova. Sipas zyrtarëve maqedonas mallrat e paligjshme qenë zbuluar në një autobus me targa regjistrimi të Rumanisë, në të cilin ndodheshin 16 pasagjerë, të gjithë shtetas rumunë të punësuar në misionin EULEX-it.

XS
SM
MD
LG