Lidhje

Kosovë: EULEX-i heton krimet e luftës në Krushë të Vogël


EULEX-i

EULEX-i

Prokuroria e EULEX-it fillon hetimet e kryera nga forcat serbe në fshatin Krushë e Vogël në vitin 1999, ku u vranë 113 shqiptarë.


Misioni i Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, ka hapur hetimet për krime të luftës në fshatin Krushë e Vogël të rajonit të Prizrenit në Kosovën perëndimore.

Në një njoftim të misionit të EULEX-it thuhet se një prokuror i këtij misioni i ka filluar zyrtarisht hetimet për krime e kryera në atë fshat, më 25 dhe 26 mars të vitit 1999 nga forcat serbe.

Deri tani, prokuroria i ka identifikuar 56 të pandehur të mundshëm të cilët do të përballen me akuza për krime lufte kundër popullatës civile, duke përfshirë vrasjen e gjithsej 113 fshatarëve, dëbimin e të gjitha grave dhe fëmijëve nga fshati, plaçkitjen dhe shkatërrimin e pronës.

Masakra në Krushë të Vogël pretendohet të jetë një nga vrasjet më masive që ka ndodhur gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë.

Mbi 10 mijë veta u vranë dhe rreth pesë mijë u zhdukën, ndërsa forcat serbe dëbuan mbi 800 mijë shqiptarë nga Kosova gjatë luftës gati dyvjeçare që mori fund trembëdhjetë vjet më parë, me hyrjen e trupave të NATO-s në Kosovë.
XS
SM
MD
LG