Lidhje

Kukan vlerëson arritjet në Kosovë


Kosovo, E.Kukan, J.Krasniqi

Kosovo, E.Kukan, J.Krasniqi

Në Prishtinë, filloi sot takimi i gjashtë ndërparlamentar ndërmjet Kosovës dhe Parlamentit Evropian. Në takimin i cili do të zgjasë dy ditë, pritet të diskutohet mbi përparimin e Kosovës drejt integrimeve evropiane si dhe procesin e përmbushjes së reformave të domosdoshme për këtë rrugëtim.

Në hapje të këtij takimi, kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin, Eduard Kukan tha se “në periudhën e fundit në Kosovë ka pasur zhvillime pozitive duke nisur nga bisedimet me Beogradin, përparime në agjendën evropiane dhe disa vendime të rëndësishme të marra në punët e brendshme”. Ai u bëri thirrje autoriteteve vendase që të mos i lëshojnë këto raste dhe t’i shfrytëzojnë ato për të ecur përpara, ndërsa u përkujtoi atyre se ende ka shumë punë për të bërë duke nisur nga përmbushja e reformave në sundimin e rendit dhe ligjit, si një nga reformat kryesore që Kosova duhet të nisë.

Zoti Kukan tha se një sfidë tjetër e rëndësishme është mbajtja e zgjedhjeve të tre nëntorit, duke u bërë thirrje autoriteteve që të garantojnë qytetarët për të zgjedhur në mënyrë të lirë për kandidatët e tyre.

Gjatë këtyre dy ditëve pritet të diskutohet edhe për reformat e sistemit zgjedhor dhe zgjedhjet e ardhshme lokale, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër dukurive negative, procesin e liberalizimit të vizave dhe bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Ky takim ndodh dy ditë pas nisjes së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimi Evropian, të cilat pritet të përmbyllen në pranverën e vitit 2014

Kosova ishte ngecur në këtë proces për shkak të mungesës së konsensusit brenda Bashkimit Evropian, pesë vende anëtare të cilat vazhdojnë të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Ndërsa tani është arritur pajtimi që kjo marrëveshje të mos ketë nevojë të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare, siç ka ndodhur me vendet tjera.

Bisedimet me Serbinë ishin ato që siguruan fillimin e këtyre negociatave dhe Komisioni Evropian e ka cilësuar vitin 2013 si periudhë historike për Kosovën për shkak të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë të arritur në bisedimet e ndërmjetuara nga Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG