Lidhje

FBI do të ndihmojë në hetimet për vdekjen e Asanajt


Dino Asanaj

Dino Asanaj


Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të ndihmojë autoritetet në Kosovë në ndriçimin e rrethanave të vdekjes së Drejtorit të Agjencisë së Privatizimit, Dino Asanaj.



Në një komunikatë për opinion të ambasadës amerikane në Prishtinë, thuhet se “qeveria e Kosovës ka kërkuar ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të hetuar vdekjen e zotit Dino Asanaj. Qeveria amerikane është pajtuar të ofrojë ndihmë, kështu që Byroja Federale e Hetimeve (FBI) pranë Departamentit të amerikan drejtësisë ka komunikuar me policinë e Kosovës për hapat e mëtejshëm".

Dino Asanaj, 55 vjeçar, ndërroi jetë më 14 qershor, si pasojë e plagëve të marra nga goditjet me thikë. Ai u gjet në zyrën e tij private në periferi të Prishtinës, i plagosur rëndë nga goditjet me thikë dhe ndërroi jetë më pas në spital.

Një ekip mjekoligjor i përbërë nga specialistë vendas dhe të EULEX-it, u angazhua në autopsi dhe sipas tyre, “nuk është gjetur asnjë shenjë që do të dëshmonte diç tjetër, përveç vetëvrasjes”.

Njëri nga ekspertët e mjekësisë ligjore i angazhuar në këtë rast, Arsim Gërxhaliu, tha se i ndjeri e kishte qëlluar vetën 9 herë me thikë në fyt dhe dy herë në gjoks dhe se këto të fundit ishin vdekjeprurëse.

Një pjesë e shtypit në Prishtinë, që ditën e parë e kishte ngritur mundësinë e vetëvrasjes, një teori për të cilën ende ekzistojnë dyshime të thella për faktin se ai u gjet me shumë plagë të shkaktuara nga thika.

Vdekja e zotit Asanaj, nxiti shumë reagime të institucioneve vendase e ndërkombëtare, ndërsa la të hapura shumë debate mbi rrethanat por edhe motivet e kësaj ngjarjeje.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kërkoi nga mekanizmat vendas e ndërkombëtarë që të hetohen të gjitha rrethanat e vdekjes së zotit Asanaj. Ai paralajmëroi se autoritetet nuk do të lejojnë që, siç tha, “shantazhi, krimi e dhuna të pengojnë ekonominë e lirë të tregut dhe se do të veprohet kundër, grupeve mafioze që nuk e kuptojnë këtë lloj të ekonomisë”.

Në këtë kuadër, qeveria ka kërkuar ndihmën e autoriteteve amerikane për të ndriçuar rrethanat e vdekjes së zotit Asanaj, që ishte edhe qytetar amerikan.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG