Lidhje

Kosovë: Fillon gjykimi ndaj Limajt nën akuza për krime lufte

  • Leonat Shehu
  • Prishtinë

Kosovë: Fillon gjykimi ndaj Limajt nën akuza për krime lufte

Kosovë: Fillon gjykimi ndaj Limajt nën akuza për krime lufte

Deputeti i Parlamentit të Kosovës, Fatmir Limaj dhe nëntë ish pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u nxorën sot para një trupi gjykues të përbërë nga dy gjykatës evropian dhje një vendas në Prishtinë në një proces gjyqësor nën akuzat për krime lufte kundër popullatës civile dhe robërve të luftës. Aktakuza e cila u hodh poshtë nga të gjithë të akuzuarit, i ngarkon ata për krime lufte kundër popullatës civile dhe krime lufte kundër të burgosurve të luftës, që, siç thuhet supozohet të jenë kryer nga fillimi i vitit 1999 deri në mesin e qershorit 1999 në një qendër të improvizuar paraburgimi nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e cila ndodhej në fshatin Kleçkë në Kosovën qendrore.

Akuza ishte mbështetur kryesisht mbi dëshmitë e një ish pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare Agim Zogaj i cili qe bërë i njohur si dëshmitari X deri në muajin shtator, kur kreu vetëvrasje në Gjermani, ku ishte dërguar nga autoritetet e EULEX-it në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur. Ai kishte mbajtur ditar ku kishte shënuar ngjarjet e përfshira në akuzë.

Mbrojtja e të akuzuarve kërkoi që seanca kryesore për të akuzuarit të shtyhet për në muajin shkurt të vitit të ardhshëm meqë dokumentet që përmbajnë akuzën, i janë dorëzuar me vonesë palës mbrojtëse.

Avokati mbrojtës i zotit Limaj, Karim Kahn, tha se duhet më shumë kohë për të analizuar dokumentet kryesore.

“Dëshmitari kryesor ka ndërruar jetë. Ne nuk kemi mundësi që ta marrim në pyetje dhe është thelbësore që të kërkohen provat themelore. Ky është një individ që ka thënë dhe e ka pranuar vetë se ka qenë në një spital psikiatrik me qëllim që të ketë mbrojtje, pasi që ta ketë vrarë Fatmir Limajn. Ne duam ta shohim evidencën mjekësore, raportin e autopsisë, duam ta shohim se si është kapur, në çfarë kushte duam t’i shohim letrat që ia ka shkruar gruas së tij dhe, po ashtu, edhe ditarin e tij”, tha mes tjerash avokati Kahn.

Në fillim të javës pritet një vendim i gjykatës për vazhdimin apo shtyrjen e procesit gjyqësor.

Më 22 shtator, zotit Limaj iu shqiptua masa e arrestit shtëpiak, pasi që më parë Gjykata Kushtetuese kishte nxjerrë një opinion sipas të cilit deputetët nuk kanë imunitet për veprat e kryera jashtë fushëveprimit të tyre.

Më 30 nëntor të vitit 2005 Gjykata Ndërkombëtare për Krime lufte në Hagë shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn i njohur me emrin e luftës si komandant Celiku, i cili në shkurt të vitit 2003 qe akuzuar për përfshirje në krime kundër civilëve shqiptarë dhe serbë gjatë luftës së vitit 1998. Ai u prit si hero pas kthimit nga Haga dhe disa muaj më pas u rikthye në strukturat e Partisë Demokratike të Kosovës të drejtuar nga Hashim Thaçi. Dy vjet më pas ai mori postin e ministrit të transporteve dhe telekomunikacionit.

Në pranverën e vitit 2010 EULEXI-i filloi një proces hetimesh kundër zotit Limaj, nën dyshimet për korrupsion në Ministrinë e tij, të cilat edhe më tej po vazhdojnë.

Më herët zoti Limaj kishte shfaqur drojën se dyshimet e hedhura mbi të janë synime për mënjanimin e tij nga skena politike.

XS
SM
MD
LG