Lidhje

Jacobson: Kosova është mike e SHBA-së


Tracy Jacobson dhe Atifete Jahjaga
Tracy Jacobson dhe Atifete Jahjaga

Ambasadorja e re amerikane, Tracey Ann Jacobson i dorëzoi letrat kredenciale presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy An Jacobson, tha sot se Kosova ka shënuar përparime të mëdha që nga shpallja e pavarësisë së saj, ndërsa u zotua për vazhdimin e mbështetjes amerikane.

Ajo i bëri këto komente gjatë dorëzimit të letrave kredenciale tek presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, me çka edhe zyrtarisht filloi punën e saj si ambasadore e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë.

Jam krenare që mund të përfaqësojë presidentin (Barack) Obama dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë krenare ta quajnë Kosovën mike”, tha ajo, duke folur në shqip dhe në serbisht dhe duke vlerësuar sic tha, arritjet e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Jam e bindur që duke punuar së bashku në partneritet, udhëheqësit e Kosovës mund të çojnë përpara sundimin e ligjit dhe të vënë themele të fuqishme për një të ardhme të begatshme, të qëndrueshme e demokratike”, tha ajo.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, vlerësoi lartë miqësinë e Kosovës me Shtetet e Bashkuara. Sipas saj, mbështetja dhe ndihma e vazhdueshme amerikane në rrugën e çlirimit, të pavarësimit dhe të shtet ndërtimit të Kosovës, ka bërë që ajo të jetë sot faktor paqeje dhe qëndrueshmërie në rajon.

Për vendin tonë krahas zhvillimit ekonomik dhe përparimit të përgjithshëm dhe sistemit të mirë të arsimimit. të shëndetësisë dhe të fushave të tjera është shumë domethënëse që në kuadër të avancimit të proceseve demokratike të sundimit të plotë të ligjit dhe të rendit të kemi rezultate konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Në këto procese jemi të gjithë bashkë, kemi vullnetin dhe përkushtimin dhe kemi përkrahjen e të gjithë popullit dhe gjithsesi do të kemi sukses”, tha presidentja Jahjaga.

Ambasadorja Jcobson, para se të emërohej në Kosovë, kishte shërbyer në Turkmenistan dhe në Taxhikistan.

Në këtë post ajo zëvendëson ambasadorin e deritashëm, Christopher Dell.
XS
SM
MD
LG