Lidhje

Kosovë: Qeveria dorëzon përgjigjet e pyetësorit


Qeveria e Kosovës ka dorëzuar në Komisionin Evropian përgjigjet në pyetësorin për përgatitjen e Studimit të Fizibilitetit për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Në një njoftim të Ministrisë së Integrimit thuhet se “përgjigjet janë bashkërenduar nga kjo ministri, ndërsa kanë kontribuar të gjitha institucionet shtetërore, të nivelit qendror dhe lokal, në përgatitjen e këtyre përgjigjeve”, të cilat siç thuhet “prezantojnë situatën faktike të vendit”.

Sipas ministrisë së Integrimeve, “institucionet janë përgjigjur në 444 pyetje, në 105 fusha të ndryshme, ndërsa hapi i radhës drejt finalizimit të Studimit të Fizibilitetit pritet të jetë misioni fakt-mbledhës, i cili do të përbëhet nga zyrtarë të lartë dhe ekspertë të Komisionit Evropian, të cilët pritet të qëndrojë në Kosovë nga 18 deri 22 qershor 2012”.

Në mars të këtij viti, Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian Stefan Fule u dorëzoi autoriteteve të Kosovës dokumentin për fillimin e studimit të fizibilitetit, ndërsa në vjeshtë mund të priten rezultatet e para të këtij studimi, me të cilin i hapet rruga fillimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim të Kosovës me Bashkimin Evropian, që është parakusht para se ajo të kërkojë statusin e vendit kandidat për anëtarësim. Në të gjitha proceset Kosova përballet me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.
XS
SM
MD
LG