Lidhje

Kosovë: Gjendet trupi i dhjetë nën ortekun e borës

  • Leonat Shehu

Kosovë: Gjendet trupi i dhjetë nën ortekun e borës

Kosovë: Gjendet trupi i dhjetë nën ortekun e borës

Forcat e Sigurisë së Kosovës gjetën sot viktimën e fundit të pasojave të ortekut të borës në fshatin Restelicë të komunës së Dragashit në Kosovën jugore.

Viktima u gjet pak para orës 14.00sipas orës lokale dhe pas kësaj komandanti i Forcës së Sigurisë Kadri Kastrati e shpalli të përfunduar operacionin e kërkimeve në këtë fshat.

Të shtunën, një ortek bore me thellësi prej dhjetë metrash dhe gjerësi prej rreth 500 metrash goditi rreth 15 shtëpi në këtë fshat të thellë që ndodhet në trekëndëshin Kosovë – Shqipëri – Maqedoni.

Gjashtë shtëpi u shkatërruan ndërsa në dy sosh ndodheshin 11 anëtarë të familjes Reka.

Ekipet e kërkim shpëtimit arritën të nxjerrin të gjallë pesëvjeçaren Amsera Reka e cila është e vetmja e mbijetuar.

Nëntë nga anëtarët e kësaj familjeje u varrosën të hënën më 13 shkurt, ndërsa moti i lig bëri që të zgjasin kërkimet për viktimën e dhjetë.

Reshjet e mëdha të borës dhe era e fortë, pamundësuan depërtimin e makinerive të rënda në fshat dhe për këtë arsye pjesa më e madhe e punëve të kërkim shpëtimit janë kryer me mjete dore.

Kosova tash e disa ditë me radhë është goditur nga moti i lig me reshje të mëdha bore dhe temperatura të ulta që kanë vështirësuar jetën.

Reshjet e borës kanë shkaktuar shumë vështirësi në komunat perëndimore të Deçanit, Gjakovës, Junikut e Pejës, duke lënë edhe shume fshatra të izoluara.

Vështirësi lëvizjeje ka edhe në disa komuna të tjera të Kosovës të cilat kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme. Trupat e Forcës së Sigurisë janë dërguar në disa zona për të hapur rrugët e fshatrave të izoluara nga bora e madhe.

Gjendja aktuale ka bërë që vendi të përballet me vështirësi në furnizimin me energji elektrike, ndërsa shumë rrugë mbeten të pakalueshme.

Për shkak të motit të lig janë mbyllur shkollat fillore e të mesme dhe Universitetet.

XS
SM
MD
LG