Lidhje

Gjendet trupi i pajetë i poetit Ali Podrimja


Ali Podrimja

Ali Podrimja

Poeti Podrimja, që nga 18 korriku llogaritej i zhdukur në Francë ku po merrte pjesë në një festival të poezisë.


Ministria e Jashtme e Kosovës është njoftuar nga autoritetet franceze se është gjetur trupi i pajetë i poetit të njohur nga Kosova, Ali Podrimja.

Poeti, Ali Podrimja, kishte humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève.

Ministria e jashtme e Kosovës, tha nëpërmjet një komunikate, se autoritetet franceze po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja.

Përfaqësues institucionesh e partish politike po u shprehin ngushëllime familjes dhe komunitetit letrar e artistik për humbjen e poetit Podrimja.

Në një telegram të presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, thuhet se kjo është “një humbje e madhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, për kulturën, për artin, për Kosovën në përgjithësi. Poeti e intelektuali i madh Ali Podrimja, me fjalët dhe veprat e tij, kaloi shumë herët kufijtë e Kosovës dhe u bë i njohur në rrethe shumë më të gjera të artit dhe të kulturës duke e ofruar Kosovën me botën. Vepra e madhe e Ali Podrimjes do të jetojë ndër mote, duke ruajtur kujtimin për të dhe duke shërbyer si frymëzim e motivim për brezat e rinj të poetëve dhe intelektualëve të Kosovës”.

Humbje të madhe e cilësoi edhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaci, në telegramin e të cilit thuhet se “Ali Podrimja, një talent i rrallë dhe krijues i vlerave të përjetshme artistike, ka lënë gjurmë të thella dhe të përjetshme në kulturën tonë kombëtare. Volumi i krijimtarisë së tij artistike është margaritar estetik, letrar dhe eseistik, që më shumë se gjysmë shekulli u ngrit dhe u përpunua vazhdimisht, duke i lënë trashëgimi të pasur shpirtërore letërsisë dhe kulturës shqiptare. Ali Podrimja ishte lirik i lindur dhe i realizuar në veprën e tij poetike, dhe preku majat e lirikës shqipe, duke u bërë edhe vetë vlerë kulmore. Vdekja e tij shënon ndërprerjen e penës së vargjeve lirike të përkryera, por hap kapitullin e studimeve të pareshtura për krijimtarinë e tij gjigante”.

Duke shprehur trishtimin e tij me lajmin, kryetari i Parlamentit të Kosovës JHakup Krasniqi, thotë se “Vdekja e këtij kolosi të poezisë shqipe, është humbje e madhe dhe e pazëvendësueshme për familjen, për miqtë, artin dhe kulturën shqiptare në përgjithësi”.

Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj, duke ngushëlluar familjen e poetit Podrimja, komunitetin e shkrimtarëve e artistëve si dhe gjithë qytetarët e Kosovës, thekson se “humbja e poetit me renome ndërkombëtare Ali Podrimja, është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e panumërt të tij, por një humbje e jashtëzakonshme edhe për kulturën dhe artin kosovar, shqiptar e më gjerë”.

Ndërkaq, ministri i kulturës Memli Krasniqi e vlerësoi vdekjen e poetit si një humbje të të gjithë kombit shqiptar, e padyshim të gjithë komunitetit letrat dhe artistik në botë.
Edhe partitë politike në Kosovë, e vlerësuan vdekjen e poetit Podrimja si një humbje të madhe për artin, kulturën e letërsinë shqiptare.

Ali Podrimja - biografia

Ali Podrimja u lind më 28 gusht 1942 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, ndërsa studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në Universitetin e Prishtinës.

Në vitin 1966 zë punë në gazetën e përditshme Rilindja, në rubrikën e kulturës. Më 1976 kalon në Edicionin e Botimeve “Rilindja”, ku drejton bibliotekat: Poezia shqipe, Letërsia botërore dhe letërsitë e ish-bashkësisë jugosllave.

Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe i PEN-it shqiptar, ai në vitin 1996 u zgjodh anëtar me korrespondencë i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ndërsa në vitin 2000 zgjidhet anëtar i rregullt i saj.

Me shkrime filloi të merret që në shkollën e mesme. Poezinë e parë e kishte botuar në revistën “Jeta e re” në vitin 1957.

Autor i shumë librave me poezi, ai çmohej si përfaqësuesi më tipik i poezisë së sotme shqiptare. Përveç poezisë, ai njihej edhe për shkrimin e eseve dhe tregimeve që e kishin bërë fitues të shumë shpërblimeve të ndryshme letrare.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG