Lidhje

Kosovë, gjendja në veri e qetë por me tensione


Kosovë, gjendja në veri e qetë por me tensione

Kosovë, gjendja në veri e qetë por me tensione

Në Kosovë, zyrtarë të policisë thanë se kanë arrestuar një pjesëtar të komunitetit serb në veri në lidhje me incidentin e një dite më parë kur dhjetëra punëtorë që po punonin në kuadër të një projekti të Agjencisë amerikane për zhvillim ndërkombëtar, u sulmuan në veriun e Mitrovicës nga një grup serbësh të maskuar. Incidenti nxiti reagimin e ambasadës amerikane në Prishtinë e cila tha se sulmi është kryer nga personat të cilët ndjekin agjendën politike të së kaluarës.

Incidenti i djeshëm pasoi dhunën e së martës në veri që la 11 të plagosur, 4 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të NATO-s dhe 7 protestues serbë. Forcat e NATO-s thanë se dhuna pasoi kundërshtimin e protestuesve serbë ndaj përpjekjeve për të mënjanuar barrikadat e vendosura në vendkalimet kufitare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Paqeruajtësit thanë se u detyruan të përdorin forcën në vetëmbrojtje nga sulmet e protestuesve që hodhën mjete shpërthyese ndaj trupave të KFOR-it. Beogradi ndërkaq kritikoi praninë ndërkombëtare për nxitje të dhunës, ndërsa kërkoi nga Kombet e Bashkuara sqarimin e incidenteve. Zyrtarë të KFOR-it thanë se ishin grupe dhe individë serbë që nxitën dhunën e së martës, ndërsa u zotuan se do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet e përcaktuara në mandatin e tyre për ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë.

Zhvillimet në veri bënë që raundi i radhës i bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, që ishte planifikuar të mbahej dje, të anulohet për shkak se delegacioni serb kishte kërkuar që të diskutohej për gjendjen në veriun e Kosovës, kërkesë e cila është kundërshtuar nga Prishtina zyrtare dhe nuk është pranuar nga ndërmjetësuesit e bisedimeve.

Rrugët e veriut vazhdojnë të jenë të bllokuara nga barrikadat e vendosura nga serbët në shenjë pakënaqësie me praninë e policisë dhe doganierëve të Kosovës në atë zonë. Ata kërkojnë largimin e tyre nga vendkalimet kufitare, kërkesë kjo e cila është hedhur poshtë edhe sot nga qeveria e Kosovës.

XS
SM
MD
LG