Lidhje

Gjykata Kushtetuese shpjegon vendimin, Kosova pa president


Gjykata Kushtetuese shpjegon vendimin, Kosova pa president

Gjykata Kushtetuese shpjegon vendimin, Kosova pa president

Kosova është pa president. Gjykata Kushtetuese, publikoi sot vendimin e plotë më të cilin ajo e shpall jo kushtetuese zgjedhjen e presidentit të Kosovës. Në vendim thuhet se zgjedhja e Behgjet Pacollit në postin e presidentit pa asnjë kundër kandidat paraqet shkelje të nenit 86 të Kushtetutës së Kosovës, ndërsa jo kushtetuese vlerësohet edhe mungesa e kuorumit në kohën e votimit.

Parlamenti i Kosovës zgjodhi më 22 shkurt me 62 vota për, 4 kundër dhe një votë të pavlefshme, Behgjet Pacollin, në postin e presidentit të Kosovës. Ai u zgjodh në raundin e tretë të votimeve pasi që në dy raundet e para ai mori 54, përkatësisht 58 vota, ndërsa do të duhej të kishte 80 sosh. Votimi u bë me 67 deputet të pranishëm në sallën e Parlamentit ndërsa zoti Pacolli ishte kandidati i vetëm.

Në vendimin e gjykatës thuhet se neni 86 i Kushtetutës së Kosovës përmend në mënyrë të qartë se duhet të ketë më shumë se një kandidat në të tri raundet e votimeve.

Gjykata e ka vlerësuar si jo kushtetues edhe faktin se në seancën e 22 shkurtit, nuk kishte kuorum prej dy të tretave të deputetëve të Parlamentit, në kohën kur u mbajt raundi i parë dhe i dytë i zgjedhjes së presidentit. Në atë kohë në sallë do të duhet të ishin të paktën 80 deputetë.

Gjykata nuk ka dhënë asnjë propozim për rrugët e tejkalimit të situatës së krijuar.

Presidenti Pacolli, cili kishte paralajmëruar se do të veprojë në pajtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese është larguar nga zyrat e tij, ndërsa ka paralajmëruar se do të rikandidohet nëse do të ketë një rivotim për postin e presidentit.

Për respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese janë shprehur edhe institucionet tjera të Kosovës. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, i cili sipas kushtetutës duhet të ushtrojë detyrën e presidentit, deri në zgjidhjen e çështjes, ka thënë se është i gatshëm të bartë çfarëdo pasojash që mund të ketë për të vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, paralajmëroi se brenda javës që vjen do të do të merren veprime konkrete për zgjidhjen e situatës së krijuar në vend. Ai tha se Qeveria e Kosovës nuk është indiferente ndaj zhvillimeve të fundit që kanë ndodhur në vend dhe respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Ne si qeveri, por edhe individë me përgjegjësi të larta shtetërore, politike, por edhe si qytetarë të Kosovës, do të angazhohemi për veprime të shpejta konkrete dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën, ligjet dhe normat demokratike të vendit tonë, në mënyrë që të vazhdojmë me zgjedhjen e duhur dhe të shpejtë të çështjeve. Do të plotësojmë këtë agjendë që e kemi para nesh besoj shumë shpejt që javën tjetër, si Kuvendi i Kosovës, partitë politike, por edhe partnerët e koalicionit”, tha kryeministri Thaçi.

Zgjedhja e presidentit pasoi marrëveshjen ndërmjet Partisë Demokratike të kryeministrit Hashim Thaçi dhe Aleancës Kosova e Re të presidentit Behgjet Pacolli për krijimin e koalicionit qeverisës. Kjo marrëveshje e cila ka nxitur mospajtime edhe brenda Partisë Demokratike, është kundërshtuar nga opozita, e cila e ka përshëndetur vendimin e gjykatës kushtetuese. Kryeministri Thaçi i bëri thirrje edhe opozitës që të jetë pjesë e zgjidhjes së situatës së krijuar ne vend.

“Besoj në rolin pozitiv dhe aktiv edhe të opozitës për çka edhe i ftoj për participim aktiv në jetën demokratike”, tha kryeministri Thaçi.

Kjo është hera e dytë që Gjykata Kushtetuese shqyrton çështje që kanë të bëjnë me presidentin e vendit. Herën e parë një vendim i tillë kushtëzoi zgjedhjet e parakohshme në vend. Në shtator të vitit të kaluar ajo nxori përfundimin se ish presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu, kishte shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste njëherësh, atë të presidentit të vendit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pas atij vendimi, presidenti dha dorëheqje, duke krijuar një situatë të re politike që u pasua nga zgjedhjet e parakohshme.
Ende nuk dihet qartazi se cila do të jetë rruga e tejkalimit të situatës së krijuar.

Tash është në dorën e Parlamentit por edhe partnerëve të koalicionit qeverisës të vendosin se si do të veprohet më tej, nëse do të ketë një rivotim, apo rinegociim të marrëveshjes së koalicionit qeverisës.

Përfaqësuesit e opozitës e kanë përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa kanë tërhequr vërejtjen që nëse Parlamenti rikthen në votim zgjedhjen e presidentit dhe sërish kandidat do të jetë Behxhet Pacolli, se nuk do ta ndërrojnë qëndrimin nga ai i 22 shkurtit, kur kishin bojkotuar seancën e parlamentit.

Kushtetuta e Kosova parasheh që në rast dështimi të procesit për zgjedhjen e presidentit, Parlamenti të shpërndahet dhe vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme brenda 45 ditësh.

XS
SM
MD
LG