Lidhje

Kosovë: Përmbyllet mbikqyrja e pavarësisë


Grupi Drejtues Ndërkombetar për Kosovën
Grupi Drejtues Ndërkombetar për Kosovën

Përfaqësues vendas e ndërkombëtarë e cilësuan përfundimin e mbikqyrjes së pavarësisë, vendim historik për Kosovën

Grupi Drejtues Ndërkombëtarë për Kosovën, vendosi sot që mbikëqyrja e pavarësisë së Kosovës, të përfundojë në muajin shtator. Vendimi u mor në takimin e sotëm të këtij grupi në Vjenë, ku u tha se plani i kryenegociatorit të Kombeve të Bashkuara, Martti Ahtisaari, në bazë të të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës, “është zbatuar në mënyrë thelbësore dhe me këtë autorizohen hapat përfundimtar për përmbyllje të pavarësisë së mbikqyrur dhe mbyllje të Zyrës Civile Ndërkombëtare”.



Shefi i kësaj zyreje, Pieter Faith, tha se Grupi Drejtues Ndërkombëtar morri sot vendime shumë të rëndësishme.

Së pari, Grupi shqyrtoi propozimin për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikqyrur të Kosovës. E dyta, grupi u dha dritën e blertë qeverisë dhe parlamentit të Kosovës për miratimin e pakos së amendamentimit të Kushtetutës dhe ligjeve. Dhe së treti, ky është një paralajmërim i takimit përfundimtar të grupit në Prishtinë në muajin shtator, për t’i dhënë fund mandatit tim dhe Zyrës civile ndërkombëtare”, tha zoti Faith.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se dy korriku është një ditë simbolike dhe historike për Kosovën, duke përkujtuar përvjetorin e deklaratës kushtetuese të vitit 1990, kur Kosova kishte bërë përpjekjet për të ndryshuar statusin e saj politikë.

Kjo ditë dëshmon se sa rrugë të gjatë kemi bërë, sa shumë sakrifica dhe dhimbje kishin qytetarët e Kosovës. Qytetarët tanë çdo herë kanë pasur besim të fuqishëm, shpresë dhe optimizëm për Kosovën e pavarur dhe sot pas 22 vitesh ne jemi shtet sovran dhe demokratik. Sot Kosova po hap një kapitull të ri të shtetësisë së saj”, tha kryeministri Thaçi.

Vendimin e sotëm të Grupit Drejtues e mbështeti edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, sipas së cilës ky vendim hap një kapitull të ri për vendin.

Vendimi i sotëm i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, për ta përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ia kthyer popullit të këtij vendi atë që i takon dhe për të cilën ka sakrifikuar, hap një horizont të ri për Republikën e Kosovës, për pozitën e saj në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë. Ky vendim hap rrugën për një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare, bazuar në respektin e ndërsjellë”, tha presidentja Jahjaga.

Ndërkaq, kryetari i Parlamentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, vlerëson se “ky vendim, është shenjë se shteti i Kosovës po ndërton identitetin e vet kushtetues dhe ligjvënës, po ndërton marrëdhënie shumë të mira me shtetet e rajonit dhe më gjerë me ato në Evropë dhe botë, duke sendërtuar njëkohësisht edhe obligimet e marra nga Pakoja e presidentit Ahtisaari. Shteti i Kosovës është këmbëngulës që të bëjë edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese për t’ i marrë përsipër përgjegjësitë, të cilat që nga shpallja e pavarësisë e këndej i ka ushtruar Zyra Civile Ndërkombëtare”.

Përmbyllja e mbikëqyrjes është vendosur, pavarësisht se plani i zotit Ahtisaari, nuk është zbatuar në tërësi, për shkak të refuzimit të serbëve në veriun e Kosovës.

Grupi drejtues tha sot se “e njeh themelimin Zyrës Administrative për Mitrovicën e Veriut nga Qeveria e Kosovës si një hap konkret dhe të mirëpritur për ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve të saj në Mitrovicën e Veriut”.

Shefi i grupit ndërkombëtar, Pieter Faith, kishte deklaruar më herët se mbikqyrja e pavarësisë do të përfundojë brenda vitit dhe zgjidhja përfundimtare e çështjes së veriut të Kosovës, do të mbetet në duart e mekanizmave të tjerë vendas e ndërkombëtarë. Ai shfaqi shpresën se qasja e serbëve në veri do të ndryshojë.

Ata serbë që jetojnë në Kosovë dhe kanë vendosur të angazhohen në institucione, ndjehen më të sigurt dhe kanë më shumë mundësi sesa ata që kanë zgjedhur të jetojnë në izolim. Shpresoj se kjo do të jetë në pikë fillimi për komunitetin serb që në tërësi të punojë me institucionet dhe të integrohet në demokracinë shumetnike çfarë është Kosova”, tha zoti Faith.

Kosova shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008, ndërsa një numër shtetesh që e kanë njohur atë, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian, themeluan grupin drejtues ndërkombëtar për Kosovën dhe vunë zotin Pieter Faith, në postin e mbikëqyrësit të pavarësisë, e cila vazhdon të kundërshtohet ashpër nga Serbia.
XS
SM
MD
LG